Lazio është pengesa e parë për Juventusin në rrugën e drejt suksesit të trefishtë këtë sezon. Bardhekaltërit deri tani kanë zhvilluar një sezon tepër pozitiv pasi pozicionohen të 4-tit në Serinë A, ndërkohë që kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Italisë duke eliminuar skuadra të tilla si Interi e Roma. Këtë të Mërkurë në stadiumin Olimpico, Lazio e Simone Inzaghit sfidon pikërisht bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit me një objektiv të qartë dhe të vetëm të bëjë gjithçka për të fituar trofeun e Kupës së Italisë. Sipas drejtorit sportiv Igli Tare, kryeqytetasit do të kenë shanset e tyre edhe pse përballë do të kenë ndoshta Juventusin më të mirë të dedakës së fundit.

” Do të jetë një ndeshje e vështirë. Por Lazio vjen në këtë sfidë me vetëdije se është një skuadër në shëndet të plotë dhe që është rritur shumë në këtë sezon. Ne nuk do të hymë në fushë me idenë që e kemi të humbur këtë ndeshje pasi mbi të gjitha luajmë në shtëpinë tonë. Juventusi aktualisht është skuadra më e mirë në Europë. Megjithatë ne jemi të aftë për të dhuruar surpriza pasi me meritë kemi arritur deri në finalen e këtij kompeticioni”.

Ndaj Juventusit, Thomas Strakosha talenti shqiptar që mbron portën e Lazios do të luajë ndeshjen më të rëndësishme deri tani në karrierë, Tare ka besim te aftësitë e 22-vjeçarit kuqezi, por edhe te klasi i Balde Keita, profesionaliteti i Simone Inzaghit dhe mbi të gjitha te aftësitë e jashtëzakonshme që zotëron Ciro Immobile përpara portës. Sulmuesi i kombëtares italiane, ashtu si drejtori sportiv, beson te një sukses i mundsshëm ndaj bardhezinjëve në finalen e Kupës së Italisë edhe pse e di që bardhekaltërit do të kenë një mision shumë të vështirë përballë skuadrës së Allegrit.