Pfizer njoftoi sot se ilaçi i saj për COVID-19 mund të ulë me 89% vdekjet dhe rastet e shtrimeve në spital.

Të sëmurët me COVID-19 aktualisht trajtohen me serume ose injeksione, por ilaçi që mund të merret nga goja mund të ofrojë më tepër zgjidhje.

Ilaçi i Pfizer është i dyti pas atij të kompanisë Merck, molnupiravir, aprovuar të enjten për përdorim ndër të moshuarit me probleme kronike në Britaninë e Madhe.

Tashmë pritet miratimi nga autoritetet shëndetësore. Pfizer do ta shesë ilaçin nën emrin Paxlovid.

Rezultatet paraprake të studimit të Pfizer u nxorën nga faza testuese prej 775 të rriturish.

Pfizer dha pak detaje mbi efektet anësore, por tha se nga testi u vu re një reduktim prej 89% të shtrimeve në spital dhe se askush nuk vdiq. Nga grupi tjetër që nuk e mori ilaçin pati 7 vdekje.