Inflacioni i Eurozonës arriti një rekord të ri në dhjetor, duke ngritur shumë pyetje në lidhje me politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane.

Të dhënat paraprake treguan të premten se norma totale e inflacionit ishte 5% për muajin janar, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Shifra përfaqëson kuotën më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Më parë inflacioni më i lartë qe regjistruar në nëntor dhe ishte ndalur në 4.9%.

Rritja gjatë muajit dhjetor ishte kryesisht për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe hidrokarbureve.

“Pasi arriti në 5,0% në dhjetor, inflacioni total i eurozonës duhet të bjerë këtë vit pasi çmimi i energjisë pritet të bjerë ndjeshëm”, tha Capital Economics në një shënim të premten.

Inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes pas rritjeve të njëpasnjëshme në muajt e fundit, me ekspertët e ekonomisë që debatojnë nëse Banka Qendrore Evropiane duhet të marrë apo jo një qëndrim më agresiv për të luftuar rritjen e çmimeve.

Banka Qendrore tha muajin e kaluar se do të shkurtonte blerjet mujore të aseteve, por u zotua të vazhdojë nivelin e saj të paprecedentë të stimulit të tregjeve edhe në vitin 2022.

Euro u rrit 0.2 pikë përqindjeje kundrejt dollarit gjatë javës së parë të vitit 2022 duke u tregtuar rreth 1.131 dollarë.

Objektivi i Bankës Qendrore mbetet stabilizimi i inflacionit në 2%. Sidoqoftë parashikimet e ekspertëve thonë se kjo normë mund të mos arrihet pasi inflacioni gjatë vitit 2022 mund të shkojë deri në 3.2%.

Ekonomistët argumentojnë se pandemia dhe inflacioni janë ndër rreziqet më të mëdha për ecurinë ekonomike.