Lajme pozitive në horizont për tifozët e futbollit në Itali. Stadiumet do të hapen në 75% të kapacitetit për tifozët, ndërsa plan i Qeverisë është që deri në fund të vitit të jetë 100% e kapacitetit.

Deri tani kapaciteti vazhdon të jetë 50% për shkak të distancimit si pasojë e masave anti Covid.

Kushdo që dëshiron të hyjë në stadium duhet të jetë i pajisur me maskë, me çertifikatën e vaksinimit, testin negativ të COVID në 2 ditët e fundit para ndeshjes ose një çertifikatë që tregon rikuperimin nga COVID në kohët e fundit.

Lejimi i tifozëve në stadiume në 75% të kapacitetit ishte parashikuar të ndodhte për fazën finale të Nations League që luhet në Itali. Por kjo nuk u arrit për shkak të burokracive.

“Këtë javë do të jepet zyrtarizimi nga Qeveria për lejimin e tifozëve në 75% të kapacitetit”, sekretari për Shëndetësinë Andrea Costa deklaroi në mediat italiane.

“Objektivi është të jemi në 100% të kapacitetit në stadiume deri në fund të vitit. Të dhënat nga pandemia dhe efektet e vaksinës janë pozitive”.

“Ne duam të japim shenja të rikthimit në normalitet dhe stadiumet në 100% të kapacitetit do ishte një sinjal pozitiv”.

“Unë mendoj që deri në fund të vitit stadiumet do të rikthehen në normalitet. Duhet të jemi të kujdesshëm për këtë pjesë, por mund të arrihet si objektiv”/Oversport.tv