Në Izrael po rekomandohet doza e katërt e vaksinës anti-Covid.

Ekspertët kanë thënë se doza e katërt duhet të bëhet nga të gjithë personat mbi 60 vjeç, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata me probleme të imunitetit. Vaksina duhet të bëhet të paktën 4 muaj pas dozës së tretë.

Rekomandimi është mbështetur edhe nga kryeministri Naftali Bennett, duke thënë se do të ndihmojë vendin të kalojë valën e mundshme nga varianti Omicron.

Ndërkaq, ministria izraelite e Shëndetësisë ka konfirmuar deri më tani 341 raste me Omicron, me katër viktima në 7 ditët e fundit.

Në Izrael, 70 % e 9.3 milionë banorëve kanë bërë dy dozat e vaksinës, ndërsa 45 % kanë bërë dozën e tretë, sipas shifrave zyrtare të ministrisë.

Lidhur me udhëtimet, qeveria ka mbyllur kufijtë për shtetasit e huaj prej muajit të kaluar.

Izraelitët janë të ndaluar të udhëtojnë në 50 vende- të futura në listën e kuqe, mes tyre Amerikë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe pjesën më të madhe të Afrikës.