Derbi i Italisë është luajtur mbrëmjen e sotme për herë të parë në histori, nën një atmosferë të jashtëzakonshme, pa praninë e tifozëve në “Allianz Stadium”, por në fund kanë qenë bardhezinjtë e Maurizio Sarrit ata që kanë festuar falë triumfit 2-0.

Ashtu siç pritej, sfida nisi shumë e vakët dhe ngjante më shumë si një ndeshje në familje, sesa derbi i Italisë, por me kalimin e minutave filloi të rritet tensioni dhe intensiteti, ndonëse golat munguan në fraksionin e parë.

Fillimisht De Ligt dhe më pas Alex Sandro testuan aftësitë e Handanovic, por slloveni u përgjigj në mënyrë spektakolare, ndërsa Interi iu afrua golit me një gjuajtje nga distance të Brozovic, por që u grushtua saktë nga portieri i Juves.

Në fillim të pjesës së dytë, pas një aksioni me disa gabime radhazi nga ana e lojtarëve të Interit, Aron Ramsey përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe arriti të zhbllokojë sfidën, duke komplikuar mbrëmjen për djemtë e Antonio Contes.

Ky i fundit e vështirësoi edhe më shumë me zëvendësimet e vonuara dhe aktivizimin tërësisht jashtë roli të fantazistit danez Christian Eriksen, ndërsa Sarri goditi në shenjë me Dybalën, pasi argjentinasi sajoi nga hiçi golin e dytë të Juves, vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në fushë.

Conte largon edhe Lukakun, që gaboi thuajse çdo top të prekur mbrëmjen e sotme, ndërsa aktivizimi i Sanchez dhe ndryshimi i skemës në një 4-3-1-2, bëri që Interi të zgjohej dhe të ndërtonte disa aksione radhazi, por pa arritur të shfaqen kërcënueshëm në portën e Szczesnyt.

Vërshëllima finale la në fuqi fitoren 2-1 të Juventusit, që ngjitet në krye me 653 pikë, një më tepër se Lazio, ndërsa Interi mbetet në kuotën e 54 pikëve dhe tashmë shpresat për titullin kampion janë thuajse në kuotën zero, ndonëse kanë edhe 13 javë në dispozicion.