Britania e Madhe dhe Norvegjia kanë vënë së fundmi në punë linjën e re të transmetimit të energjisë elektrike, e cila rezulton të jetë më e gjata në botë.

Dy vendet do të shkëmbejnë energji elektrike përmes një kabulli mbi 750 kilometra të gjatë nën det. Ky kabull lidh zonën e Blyth (Nourthumberland, veri-lindje e Anglisë) me Kvilldal (jug-perëndim i Norvegjisë).

Përmes kësaj linjeje transmetimi do të mund të shkëmbehen deri në 1400MW energji elektrike, të afta për të furnizuar rreth 1.4 milionë shtëpi.

Projekti i ashtuquatur “North Sea Link”, që nisi të zhvillohej në vitin 2018, synon që të shmangë përdorimin e hidrokarbureve për prodhimin e energjisë elektrike, kjo në kuadër të planeve afat-shkurtra të uljes së ndotjes.

Në Norvegji, 98% e energjisë elektrike prodhohet nga hidrocentrale, ndryshe nga Britania e Madhe, e cila për disa zone përdor termocentrale.

Aktualisht Britania e Madhe ka investuar në prodhimin e energjisë me erë, gjë që në periudhat kur ka pak reshje, Norvegjia të mund të marrë prej Britanisë energji.

Norvegjia aktualisht ka lidhje të ngjashme me Gjermaninë, Belgjikën, Francën dhe Holandën.