Boksieri Florian Marku, që ngriti peshë emigrantët shqiptarë në Angli duke fituar pak muaj më parë titullin kampion në federatën IBF për peshat e lehta, do t’i ngjitet sërish ringut më 20 nëntor.
Marku, 29 vjeç, do të ndeshet me francezin 33-vjeçar Jorick Luisetto, i cili deri më sot ka zhvilluar 13 ndeshje, prej së cilave 11 i ka fituar (3 me KO) dhe 2 i ka humbur.
Ndeshja, që zhvillohet në Wembley, do të transmetohet ekskluzivisht në Tring Sport 2HD ora 21:00. Paralelisht edhe në platformën TIBO.
Në muajin shtator Marku siguroi rripin e artë të federatës IBF pasi ia doli të fitonte me pikë përballjen me Maxim Prodan.
29-vjeçari e ka nisur karrierën duke ushtruar artet marciale mikse (MMA). Ai pati tërhequr vëmendjen me ndeshjet e tij në ringun heksagonal.
Pas disa ndeshjesh të suksesshme dhe kalimit në ringun e boksit, në nëntor 2020 siguroi kontratë me menaxherin Eddie Hearn, i cili promovon gjithashtu edhe kampionin Anthony Joshua.
Marku, numëron të paktën 10 duele profesioniste në boks, nga të cilat 9 i ka fituar (6 me KO) dhe një e ka mbyllur barazim me pikë.
Ndeshja kundër Prodan ishte e para pas një periudhe riaftësimi nga operimi i të dy duarve.