Lucas Hernandez është një futbollist i suksesshëm, kampion bote me Francën dhe kampion evrope me Bayern Munich.

Mirëpo suksesi i tij në fushën e gjelbër nuk i ka dhënë imunitet kur vjen puna në përballjen me ligjin.

Hernandez mund të burgoset në Spanjë pasi ka thyer një vendim gjyqësor që i ndalonte takimin me gruan Amelia de la Osa Lorente.

Në shkurt 2017, teksa ishin duke ecur rrugëve të Madridit, Hernandez u përfshi në një zënkë me Amelian, zënkë që përshkallëzoi në dhunë.

Spanjollja u dërgua në spital me lëndime të lehta. Askush prej tyre nuk bëri kallëzim, mirëpo prokuroria ngriti padi për dhunë dhe prishje të rendit publik.

Gjykata e dënoi Hernandezin me 31 ditë shërbim social dhe detyrimin për t’i qëndruar larg të dashurës. Mirëpo ai dhe Amelia e thyen këtë vendim fillë duke udhëtuar së bashku për në SHBA, atje ku dhe u martuan.

Me t’u kthyer në Madrid, në shkurt 2017, Hernandez u arrestua me akuzën se kishte shkelur vendimin e gjykatës. Çështja ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Në dhjetor 2019 u dënua me 6 muaj burg ndërsa një javë më parë Gjykata e Lartë vendosi ta lërë këtë vendim në fuqi.

Ai ka deklaruar se do ta apelojë çështjen, mirëpo gjykata ka njoftuar se Hernandez ka 9 ditë kohë për t’iu dorëzuar vullnetarisht autoriteteve në mënyrë që të shlyejë dënimin.

Francezi ka luajtur 29 ndeshje me përfaqësuesen. Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2018.

Në Spanjë luajti për 5 vite me Atletico Madrid përpara se të transferohej te Bayern Munich në vitin 2019.