Nëse ka diçka që i bën shqiptarët e diasporës bashkë, është muzika dhe dashuria për Atdheun. Dy vitet e fundit kanë qenë tepër të vështira për lokalet, për shkak  të pandemisë. Këtë e pranon edhe Pllum Vatnikaj, këngëtari shqiptar me origjinë nga Tropoja i cili performon në New York të SHBA-ve, aty ku edhe jeton.

“Pandemia këtu (Amerikë) si gjithkund normal që ka ndikuar, por domethënë nuk ka lënë shumë kohë për të mos e hapur. Tani nuk ka më pengesë. Por në një vit e gjysmë gati ka ndikuar, pasi e kanë lënë pauzë. Është e vështirë por çfarë të bëjmë tani”.

Në intervistën për Tibo-News, Vatnikaj tregon historinë e tij se si e ndoqi ëndrrën amerikane,  dhe jetën e tij në lagjen Bronx të New York, më të populluarën me shqiptarë.

“Kam udhëtuar në 2018-ën në Bronx të New York. Vetëm. Familjen e kam në Shqipëri të gjithën. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, edhe tani pak po, por duke punuar them që kemi arritur diku. Tregu është i madh, ka shumë këngëtarë me emër te famshëm. Por duke punuar, duke zgjedhur këngët, duke bërë gjëra të tjera”.

Ai bashkëpunon me këngëtare të tjerë shqiptarë, dhe evidenton faktin që prej një viti nuk ka më kufizime anti-Covid dhe festat mund t’i organizojnë pa probleme.

“Prej dy vitesh, se viti i parë nuk quhet se ishte pandemia. Mundohemi të angazhohemi, por ka të tjerë shumë më shumë përpara, por unë mundohem me sa kam mundësi, me Anjezën ( Anjeza Branka) punoj çdo fundjavë, edhe me kengëtarë të tjerë shqitparë dhe të Kosovës.

Tregohet tepër modest kur përgjigjet ndaj pyetjes nëse ka ndihmuar shqiptarë të New York. E quan detyrim!

“Të gjithë ndihmojmë njëri tjetrin dhe kështu e lemë me kaq. Gjithkush sadopak ndihmojnë, nuk ka pse të tregoj. Dua të them që ne vetëm detyrën bëjmë, gjithsecil. Kush ndihmon mirë bën, kush nuk ndihmon çfarë t’i bëjmë…”

Vatnikaj ka në plan të kthehet në Shqipëri gjatë muajit maj, ku do të mbajë edhe një koncert folklorik në qytetin Shkodër. “Me shpirt jam në Shqipëri pranë familjes, me trup jam këtu”, thotë ai dhe shton se është e vërtetë që shqiptarët jashtë janë më të zjarrtit kur vjen puna tek festat.

“Malli me ka marrë tani, e kam ne plan në maj të vij në Shqipëri. Për këto raste festash, sidomos të Flamurit janë shumë të zjarrta, e presim me padurim të organizojmë atë festë se është festa Flamurit. Ne shqiptarët kudo të jemi kur është puna për festën e Flamurite  bëjmë. Por ka dhe nga ata që sa të mbarojë festa harrojnë. Kemi bërë koncert për festën e flamurit, salla ka patur 800-900 persona”.

Por si mblidhen ata dhe ku? Për disa që kanë kureshtjen, Vatnikaj zbulon më shumë:

“Shumicën e rasteve e bëjmë në restorante, e organizojnë kompanitë ku marrin këngëtarët dhe janë vetë kompanitë që i organizojnë dhe marrin ambientet e posaçme, restorantet për shembull janë të gatshëm të bashkëpunojnë”.

A keni një mesazh për të rinjtë? Për ata që duan të ndjekin ëndrrën amerikane? Vatnikaj përgjigjet pa dorashka:

“Unë përderisa jam këtu vetë, do të thotë se për disa gjëra jemi më mirë këtu, por edhe malli për familjen, për vendin, nuk përshkruhet.

Keni ndonjë peng për Shqipërinë? Ajo që ty të ndez gjakun? Këngëtari thotë:

-Atje (në Shqipëri) ishte dasht me lind dhe një Skënderbe i dytë, një Gjergj Kastriot. E për kritikët që venë në dyshim historinë e tij, thotë se iu kanë ikur bletët: “Iu ka mbetur vetëm kosherja… Gjergj Kastrioti ka lënë historinë në botë, krenohet gjithkush me të, edhe ne krenohemi me to, por nuk dua të dëgjoj askënd ta krahasojë me dikë tjetër në botë”.

Shqiptarët vdesin për muzikë flolkorike shqiptare, thotë ai.

“Pa diskutim, muzika folklorike është baza e muzikës shqiptare pastaj kudo që shkojmë këndojmë gjithfarëkëngësh. Shpërthen skena, pa diskutime”.

Një falënderim në fund për Tibo-News, një mesazh, por edhe një ftesë:

“Shqiptarët dhe të rinjtë e moshës time iu them që folklorin dhe pjesën tradicionale të mos e harrojnë kurrë, pa të tjerat nuk kanë problem. Unë do realizoj një koncert recital në muajin maj në Shqipëri, në Shkodër, me rastin e rikthimit tim pas 4 vitesh. Do jenë këngë të reja, hite të rela, materiale të mira”.