Këshilli i Evropës tërhoqi një fushatë në rrjetet sociale, që promovonte diversitetin mes grave dhe lirinë e tyre për t’u mbuluar.

Hixhabi është veshje karakteristike e grave myslimane, e cila mbulon pjesën kryesore të trupit dhe përmes një shamie edhe kokën.

Posterat që shfaqnin gra të reja të veshura me shamitë islamike u hoqën nga Twitter vetëm disa ditë pas fillimit të fushatës.

Fushata e Këshillit pati shkaktuar reagime të forta mbi vlerat laike të shtateve, sidomos në Francë.

Në Bruksel u tha se posterat u hoqën për t’u rishikuar për “një prezantim më të mirë”. Por Këshilli nuk konfirmoi nëse vendimi për të tërhequr elementët e fushatës ishte rezultat i kritikave.

Franca është një nga shtetet ku debati për hixhabin ka qenë më i fortë. Shumë gra myslimane kanë kritikuar reagimet e francezëve, duke thënë se ato tregojnë mungesë respekti për të drejtën për të zgjedhur se në çfarë të besojnë apo dhe se çfarë të veshin.

Në vitin 2011 Franca u bë shteti i parë në Evropë që e ndalon me ligj mbulimin e plotë me hixhab në vendet publike.