Programet humoristike kanë të veçantën e tyre në çdo media. Audienca është ajo që i veçon më pas për nga cilësia, por edhe nga produktiviteti. Nga një media në tjetrën, nga një lajm në tjetrin, pak të qeshura dhe relaks, askujt nuk i bëjnë keq. Të gjithë e dimë tashmë që me ardhjen e vjeshtës, vijnë edhe të rejat e surprizat më të fundit që mediat e ndryshme përgatisin për publikun e gjerë. Kjo nënkupton krijimin e emisioneve apo ‘show’ të rinj. Por gjithashtu, nuk mund të mos përmendim edhe lëvizjen apo më saktë merkaton e medias për çdo sezon të ri televiziv.

Largimi i një apo dy personazheve nuk përbën ndonjë çudi të madhe, por mbledhja e disave në një vend tërheq akoma më tepër vëmendjen. Pra, me pak fjalë, ka disa kohë që bëhet zhurmë për një ‘show’, që do të nisë sonte në TV “Klan”. Por e veçanta qëndron jo vetëm tek emri, “Klanifornia show”, për të cilin mund të themi se i ngjason emrit të shtetit amerikan Kalifornia, por i shqipëruar në një model të veçantë të sjellë nga producenti i këtij formati, Turjan Hysko. I pyetur për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, ai na rrëfen detajet e të pathënat e “show”-t të shumëpritur, që pritet të ketë shumë bujë në “Klan” e jo vetëm. I pyetur se nga lindi ideja e një formati të tillë dhe si u bë përzgjedhja e personazheve që do përbëjnë atë çdo mbrëmje të së shtunës në orën 21:00, ai thotë: “Po mendonim bashkë me drejtuesit e TV ‘Klan’ të krijonim një ‘show’ gjigant humori dhe jo vetëm. Menduam për diçka që të përfshinte të gjithë audiencën, të gjitha grupmoshat dhe kështu diskutim, më pas lindi ‘Klanifornia’! ‘Klanifornia’ do jetë reflektimi i realitetit shqiptar, sigurisht me doza humori dhe i veshur me shumë elemente spektakli si të ftuar, balet, lojëra me publikun etj.

Ky është programi i vetëm i humorit në ‘Klan’ dhe uroj që të qëndrojë i tillë për vite me radhë! Për përzgjedhjen e aktorëve e kam pasur të lehtë, sepse stafi i ‘Duplex’ pa dyshim është fantastik, por dhe ‘blerjet’ e reja si Olsi Bylyku, Delinda Disha apo rikthimi i Lisa Kujofsës do e bëjnë akoma më të larmishëm mozaikun e karaktereve që do përmbajë ‘show’. Për moderatoren nuk kemi pasur asnjë moment dyshime. Marina Vjollca është një zgjedhje shumë e mirë, që besoj na është bashkuar me shumë dëshirë dhe do të jetë qershia mbi tortë në ‘Klanifornia’”, ka thënë Turjan Hysko. Për më shumë, pas gjithë këtyre përgatitjeve presim të shohim ç’surpriza do të rezervojë “Klanifornia show” çdo të shtunë këtë vit.