Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë votoi unanimisht sot “pro” Aktit Normativ të qeverisë për të blerë 500,760 doza të tjera vaksinash Pfizer brenda këtij viti. Kjo i hap rrugën kalimit në Kuvend për t’u miratuar përfundimisht.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se këto doza do të shtojnë mbulimin me vaksina të popullsisë për t’iu përgjigjur më mirë skenarëve të pandemisë.

Aktualisht qeveria po negocion me Pfizer për të siguruar kontrata furnizimi me vaksina edhe për vitin e ardhshëm. Paralelisht përveç porosisë prej 500 mijë vaksinash të Pfizer, Shqipëria pret që brenda këtij viti të përfitojë edhe 400 mijë doza të tjera nga mekanizmi COVAX.

Objektivi është që në vitin 2022 të jetë arritur administrimi i rreth 5 milionë vaksinave. Aktualisht janë administruar 2 milionë dhe 2.4 milionë të tjera janë rezervuar.

Porosia e fundit e 500 mijë dozave do t’i kushtojë buxhetit 6 milionë dollarë, teksa Manastirliu tha se totali shtesë prej rreth 2 milionësh për vitin 2022 do të kërkojë rreth 30 milionë dollarë.

Prej janarit kur nisi programi i vaksinimit në Shqipëri janë kryer 1.7 milionë injeksione, përmes së cilave 811 mijë persona kanë marrë dy doza.