Blogu amerikan i teknologjisë “The Verge” raportoi të mërkurën se Facebook po mendon të ndryshojë emrin e kompanisë.

“The Verge” tha duke cituar punonjës pranë kompanisë se ndryshimi pritet të njoftohet javën e ardhshme.

Lëvizja pritet të jetë e ngjashme me atë që në vitin 2015 bëri Google, që riorganizoi strukturën e kompanive të zotëruara prej saj brenda një kompanie mëmë të quajtur Alphabet.

Facebook, që zotëron edhe rrjetet sociale të komunikimit Instagram dhe Whatsapp tha se “nuk komenton mbi thashethemet”.

Së fundmi drejtuesi i Facebook, Mark Zuckerberg ka folur për një projekt të ri të quajtur metaverse, që nënkupton një botë digjitale ndërveprimi mes përdoruesve, të cilët do të kenë mundësinë e qasjes në realitet virtual.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se që prej muajit korrik kompania ka investuar ndjeshëm në këtë projekt dhe teknologjinë VR.

Koncepti metaverse, i hasur dikur vetëm në romanet fantashkencë, është mjaft i njohur në Silicon Valley.

Videolojëra popullore janë klasifikuar si “metaverse”, ku mes tyre përmenden emra si loja Roblox, Fortnite, GTA-V etj.

Ndryshimi i emrit të kompanisë mund të bëhet më 28 tetor, në konferencën e përvitshme që mbahet nga Zuckerberg.

Lëvizja mund të ndodhë në një moment teksa kompania është në një valë kritikash dhe përballjesh ligjore në lidhje me menaxhimin e përmbajtjeve në rrjetet sociale.

Ekspertët kanë nxitur trysni te Facebook për menaxhim të dobët, apo dashakeq në mënjanimin e përmbajtjeve sensitive dhe të dëmshme për fëmijët.