Pyetje dhe përgjigje të shpeshta: Virusi dhe sëmundja nga COVID-19. Çfarë duhet të bëjmë? Si të mbrohemi? Sa të rrezikuar jemi?

1. Çfarë është koronavirusi?
Koronaviruset janë familja e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje nga një rrufë e lehtë deri në sëmundje më të rënda si Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome – SARS).

2. Çfarë është COVID-19?
Në 31 dhjetor 2019, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei, Kinë. Që prej 11 shkurt 2020 sëmundja e shkaktuar nga ky virus u quajt COVID-19 (CO- lidhet me Koronavirus VI- lidhet me virusin D-lidhet me sëmundjen (Disease) dhe ’19 lidhet me vitin) ndersa virusi u emertuar SARS-CoV-2.

3. Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me Koronavirus?
Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, marje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

4. Si transmetohet Koronavirus i ri nga një person tek tjetri?
Koronavirus i ri është një virus i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë. Mënyrat kryesore të përhapjes nga personi i infektuar janë nëpërmjet:

  • pështymës, kollitjes dhe teshtitjes
  • kontakteve personale të drejtpërdrejta
  • duarve, për shembull duke prekur me duart e ndotura (ende jo të lara) gojën, hundën apo sytë
  • në raste të rralla, infeksioni mund të ndodhë përmes kontaminimit fekal.

Zakonisht sëmundjet e frymëmarrjes nuk transmetohen me ushqim, i cili në çdo rast duhet të trajtohet duke respektuar praktikat e mira të higjienës dhe duke shmangur kontaktin midis ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar.

Gjithsesi, ende vazhdojnë studimet për të kuptuar më mirë se si transmetohet ky lloj virusi.

5. Si mund ta mbroj veten nga Koronavirusi i ri?
Koronavirusi shkakton simptoma tipike respiratore. Më poshtë paraqiten rekomandimet kryesore:

  • Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli
  • Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart
  • Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë
  • Mbani një distancë të caktuar – të paktën një metër – nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë ose nëse kanë ethe, sepse virusi gjendet në spërklat e pështymës dhe mund të transmetohet nëpërmjet frymëmarrjes në distancë të afërt.
  • Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit
  • Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë Koronavirus dhe parandaloni kontaktet e pambrojtura me kafshë të gjalla apo sipërfaqe që kanë qenë në kontakt me kafshët
  • Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimi
  • Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm të infeksionit duhet të vendosen në observim mjekësor. Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë
  • Mos harroni se ka disa shkaktarë të sëmundjeve respiratore dhe Koronavirusi i ri mund të jetë njëri prej tyre. Nëse keni simptoma të lehta dhe nuk keni qenë kohët e fundit në Kinë, qëndroni në shtëpi derisa simptomat të lehtësohen duke zbatuar masa higjenike, të cilat përfshijnë higjienën e duarve dhe atë respiratore.

6. A jemi të riskuar për t’u infektuar nga COVID-19?
Rreziku varet nga vendi ku jeni dhe më saktësisht, nëse shpaloset një shpërthim COVID-19 atje. Për shumicën e njerëzve në shumicën e vendeve, rreziku i kapjes së COVID-19 është ende i ulët. Sidoqoftë, tani ka vende në të gjithë botën (qytete ose zona) ku sëmundja po përhapet. Për njerëzit që jetojnë ose vizitojnë këto zona, rreziku i kapjes së COVID-19 është më i lartë. Qeveritë dhe autoritetet shëndetësore janë duke ndërmarrë një veprim të ashpër sa herë që identifikohet një rast i ri i COVID-19. Sigurohuni që të respektoni çdo kufizim lokal në udhëtime, lëvizje ose tubime të mëdha. Bashkëpunimi me përpjekjet për kontrollin e sëmundjes do të zvogëlojë rrezikun tuaj për kapjen ose përhapjen e COVID-19. Përhapjet e COVID-19 mund të përmbahen dhe transmetimi të ndalet, siç është treguar në Kinë dhe disa vende të tjera. Fatkeqësisht, shpërthimet e reja mund të shfaqen me shpejtësi. Shtë e rëndësishme të jesh i vetëdijshëm për situatën ku je ose synoni të shkoni. OBSH boton azhurnime ditore mbi situatën COVID-19 në të gjithë botën.

7. A duhet të shqetësohem për COVID-19?
Sëmundja si rrjedhojë e infeksionit COVID-19 është përgjithësisht e butë, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Sidoqoftë, mund të shkaktojë sëmundje serioze: rreth 1 në çdo 5 persona që e kapin atë kanë nevojë për kujdes spitalor. Prandaj është krejt normale që njerëzit të shqetësohen për mënyrën sesi shpërthimi i COVID-19 do të ndikojë tek ata dhe të dashurit e tyre. Ne mund t’i kanalizojmë shqetësimet tona në veprime për të mbrojtur veten, të dashurit tanë dhe komunitetet tona. E para dhe më e rëndësishmja ndër këto veprime është larja e rregullt dhe e plotë e duarve dhe higjena e mirë e frymëmarrjes. Së dyti, mbajini të informuar dhe ndiqni këshillat e autoriteteve lokale shëndetësore, përfshirë kufizimet e vendosura në udhëtime, lëvizje dhe tubime.

8. Kush rrezikon të zhvillojë sëmundje të rëndë?
Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale.

Njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda janë të moshuarit dhe ata me sëmundje ekzistuese, të tilla si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

9. A mund të jenë antibiotikët të dobishëm në parandalimin e infeksionit të ri të Koronavirusit?
JO, antibiotikët nuk janë efektivë kundër viruseve, por funksionojnë vetëm kundër infeksioneve bakteriale.

10. A ka trajtim për COVID-19?
Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit. Kujdesi mbështetës mund të jetë shumë efektiv. Vazhdon studimi për terapitë specifike.

11. A ka vaksinë për këtë lloj të ri të Koronavirusit?
Kur një sëmundje është e re, nuk ka vaksinë për të, dhe mund të duhen disa vite derisa të prodhohet një vaksinë e re.

12. A duhet të mbaj maskë për tu mbrojtur?
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të mbani një maskë vetëm nëse dyshoni se mund të jeni infektuar me Koronavirusin e ri dhe keni simptomave të tilla si kollë, teshtitje ose nëse jeni duke u kujdesur për një person të dyshuar për infeksion me Koronavirusin e ri (udhëtimi i fundit në Kinë dhe simptomat e frymëmarrjes). Përdorimi i maskës ndihmon për të kufizuar përhapjen e sperklave dhe nepermjet tyre te virusit, por duhet të ndiqet edhe me masat e tjera të higjienës respiratore dhe të duarve. Nuk është e nevojshme të mbani disa maska njëra mbi tjetrën (të mbivendosura).

13. Si duhet ta vesh dhe heq maskën?
Ja se si duhet të veproni:

  • përpara se të vendosni maskën, lani duart tuaja me sapun dhe ujë ose me një solucion me bazë alkooli.
  • mbuloni gojën dhe hundën me maskë, duke u siguruar që të përshtatet mirë me fytyrën tuaj.
  • mos e prekni maskën gjatë vendosjes- nëse e prekni, lani duart.
  • kur maska laget apo zbutet nga lagështira, zëvendësojeni atë me një të re dhe mos e përdorni përsëri në fakt ato janë maska me një përdorim.
  • hiqeni maskën duke e kapur atë nga llastiku dhe mos prekni pjesën e përparme të maskës
  • hidheni menjëherë në një çantë të mbyllur dhe lani duart.

14. Sa zgjat periudha e inkubacionit?
Periudha e inkubacionit paraqet periudhën e kohës midis infeksionit dhe zhvillimit të simptomave klinike. Aktualisht vlerësohet se ndryshon midis 2 dhe 11 ditëve, deri në maksimumi 14 ditë.

15. A mund të infektohen njerëzit me koronavirusin e ri ku si burim infektimi janë kafshët?
Hetimet e hollësishme në Kinë në vitin 2002 kanë zbuluar se SARS-CoV u transmetua nga macet te njerëzit, kurse në Arabinë Saudite në vitin 2012 u zbulua MERS-CoV nga devetë te njerëzit. Njihen disa koronaviruse të cilët po qarkullojnë në kafshë, por që akoma nuk kanë infektuar njerëzit. Ndërkohë që survejanca në të gjithë botën përmirësohet, ka të ngjarë që të identifikohen më shumë koronaviruse.

16. A mund të infektohem nga kafshët që unë kam?
JO, për momentin nuk ka asnjë provë shkencore që kafshët shtëpiake, si qen dhe mace, bartin virusin ose mund ta përhapin atë. Por, rekomandohet të lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose duke përdorur solucion me bazë alkooli pas kontaktit me kafshët.

17. Sa kohë mbijeton Koronavirus i ri në sipërfaqe?
Informacionet paraprake tregojnë që virusi mund të mbijetojë disa orë, edhe pse është ende në studim. Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë është në gjendje të vrasë virusin duke frenuar aftësinë e tij për të infektuar njerëzit, për shembull dezinfektuesit që përmbajnë 75% alkool (etanol) ose 1% me bazë klori (zbardhues).

18. A është e sigurt marrja e pakove nga Kina ose vendet e tjera ku është identifikuar virusi?
PO, është e sigurt. OBSH deklaron se njerëzit që marrin pako nuk rrezikojnë të bien në kontakt me Koronavirus-in e ri, sepse ai nuk është në gjendje të mbijetojë në sipërfaqe për një kohë të gjatë.