Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar më 4 shtator, 2020, nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish presidentit amerikan Donald Trump.

Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të huaj ndërkombëtare, edhe pse moratoriumi mbi këtë çështje ka gati pesë muaj që ka skaduar. Moratoriumin njëvjeçar e parashihte një marrëveshje me Serbinë, e nënshkruar në Uashington, në shtator të vitit 2020.

Me këtë marrëveshje, Serbia ndaloi – po ashtu për një vit – fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë nuk jepen detaje se kur dhe në cilat organizata synon të aplikojë Kosova për anëtarësim.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij planifikon që gjatë vitit 2022 të dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por burime të BE-së kanë thënë për Radio Evropa e Lirë se “nuk shohin gjasa reale” që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të miratohet, edhe pse BE-ja vazhdimisht përsërit se Kosova ka perspektivë evropiane.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera. / REL