Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern është detyruar të anulojë dasmën me Clarke Gayford, kjo për shkak të kufizimeve anti-Covid të imponuara në vend nga përhapja e variantit Omicron.

Pasi detajoi kufizimet e reja, kryeministra Ardern tha: Nuk do të ketë dasmë.

Mes rregullave të reja të imponuara, nuk lejohen më shumë se 100 persona në evente, të cilët duhet që të jenë plotësisht të vaksinuar.

“Sapo u bashkova me shumë qytetarë të tjerë të cilët patën një përvojë të tillë si rezultat i pandemisë dhe më vjen keq për këtë”.

Shfaqja e nëntë rasteve me Omicron në një familje që udhëtoi në një qytet tjetër për të marrë pjesë në një dasmë, por dhe infektimi i një stjuardese në avionin me të cilin fluturuan familjarët, e detyruan Zelandën e Re të vendoste kufizimet e nivelit alarmant.

Omicron rezulton të jetë shumë më i transmetueshëm se varianti i mëparshëm Delta, por ka më pak gjasa të sëmurë rëndë njerëzit.

Përveç kufizimit të grumbullimeve dhe eventeve, tashmë edhe maska është me detyrim në transportin publik dhe në dyqane.

Masat e reja pritet të qëndrojnë në fuqi të paktën deri në fund të muajit të ardhshëm.

“Kështu e ka jeta,” tha Ardern kur u pyet se si ndihej për vendosjen e rregullave që i dhanë fund dasmës së saj të planifikuar.

“Unë nuk jam ndryshe nga mijëra të tjerë të Zelandës së Re që kanë pasur ndikime shumë më shkatërruese nga pandemia, gjëja më e rëndë e të cilave është paaftësia për të qenë me një njeri të dashur teksa ata janë të sëmurë rëndë. Kjo do të tejkalojë çdo trishtim që përjetoj.”

Zelanda e Re ka regjistruar 15,104 raste me Covid-19 dhe 52 vdekje që nga fillimi i pandemisë.