Libri “Të lirë” i autores shqiptare Lea Ypi i botuar njëkohësisht në disa gjuhë dhe i sjellë edhe në shqip ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe kritikës.

Libri rrëfen kujtime të jetës së autores, rreth perceptimit të kufizimeve të lirisë në komunizëm dhe sidomos kur i shton këtij konteksti faktin që autorja vetë vjen nga një familje e përndjekur nga diktatura. Megjithatë, për shkak se ajo nuk i fsheh bindjet e saj, lexuesi nuk ndihet i surprizuar. Përmes punës së saj akademike Lea Ypi është kontribuese e teorive të majta si dhe anëtare e Partisë Laburiste (parti e majtë) në Angli ku edhe jeton.

Po çfarë lidhjeje ka libri në fjalë me kontekstin e mësipërm? A nuk është ai thjesht një libër me kujtime? Mesa duket, jo. Autorja, e cila ka rrëfyer treqind faqe si një romanciere, por  e përmbyll librin si një profesoreshë filozofie.

Ja se çfarë shkruan ajo në epilog:

“Çdo vit, i filloj leksionet për Marksin në “London School of Economics” duke u thënë studentëve se shumë njerëz besojnë se socializmi si teori, bazohet tek analiza e marrëdhënieve materiale, lufta e klasave dhe nevoja për drejtësi shoqërore. Në të vërtetë, ai frymëzohet nga diçka shumë më thelbësore. Socializmi, ngul këmbë unë, ka në themel lirinë.“

Për autoren kapitalizmi doli se ishte shpresëvrasës. Në pjesën e dytë të librit është një koment i autores mbi konfliktin e vitit ’97-të, i cili mendoj se i thotë të gjitha. Lea shkruan:

“Më dukej vetja sikur isha kthyer në vitin 1990. I njëjti kaos, e njëjta frikë, i njëjti rrënim i shtetit, e njëjta katastrofë ekonomike, por me një ndryshim. Në 1990-ën nuk kishim asgjë veç shpresës. Në 1997-ën e kishim humbur edhe atë. E ardhmja më dukej si një arkivol i gjatë, i zi.”

Pra autorja, përmes episodeve të jetës, po reflekton mbi lirinë për të kritikuar të dyja sistemet, totalitarizmin komunist dhe liberalizmin kapitalist. Ajo nuk e gjeti lirinë në asnjë prej tyre, ndaj vazhdoi kërkimin. Për këto arsye libri i Leas meriton të konsiderohet më tepër si një shprehje e një botëkuptimi politik sesa thjesht si një libër kujtimesh.

Lea Ypi sigurisht që na ka treguar episode të zhgënjimit të saj me kapitalizmin shqiptar të tranzicionit, por ajo nuk na tregon se pse socializmi i vërtetë, i nxjerrë nga një lexim i ri i Marksit, është i mirë  nuk është i mbështetur në ndonjë argument në libër, ndaj më së shumti mund ta marrim si një tezë që ngre libri, por pa e provuar. Mbase autorja e ka bërë edhe këtë me qëllim, që t’i lërë shteg vetes për një libër tjetër, që të na mbushë mendjen se teza e saj qëndron.

Dhe derisa të ndodhë kjo, do na duhet të themi se e kemi pranuar dëshminë e jetës së Leas së vogël dhe adoleshente, por ende jo tezën e Leas si profesore e teorisë politike.