Nuk ka patur surpriza, Manchester United fiton finalen e Europa League duke siguruar trofeun e parë evropian të kësaj kategorie. “Djajtë e Kuq” thyen me lehtësi në ndeshjen e Stokholmit Ajaxin me rezultatin 2-0. Skuadra e Jose Mourinhos e interpretoi me mjeshtëri këtë 90 minutësh, duke nxjerrë në pah limitet e holandezëve me një grup shumë të ri lojtarësh pa eksperiencë në evenimente të tilla. “Friends Arena” priti në një mbrëmje të paharrueshme dy prej skuadrave më të titulluara të kontinentit ku që në minutat e para Manchester United mori kontrollin duke treguar muskujt por me kalimin e minutave edhe “harkëtarët” kërkuan të jepnin sinjale jete. Gjithsesi ishte mister 100 milionëshi Paul Pogba që zhbllokoi sfidën me një goditje jo të pakapshme por të fuqishme.

Anglezët në festë Ajax i shokuar. Pogba tregoi se në të tilla ndeshje klasi por edhe milionat e shpenzuara nga Manchester United arrijnë të bëjnë diferencën. Ajax tentoi të çante në qendër të mbrojtjes së United por pa ia dalë mbanë, pavarësisht dëshirës që në të tilla raste nuk është e mjaftueshme. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, një tjetër blerje e verës, Henrikh Mkhitaryan shteroi shpresat e bardhekuqve për të mbajtur të hapur sfidën.

Një goditje e rëndë për skuadrën e Peter Bosz ku Dolberg, Younes dhe Traore, lojtarë që ndiqen nga gjysma e klubeve të mëdha evropiane, nuk arritën të nxirrnin në vitrinë vetitë e tyre më të mira. Me kalimin e minutave, skuadra e Jose Mourinhos menaxhoi në mënyrë perfekte rezultatin dhe tentoi madje të shënonte edhe goin e tretë me Rashford të vetëm në sulm, por edhe kaq mjaftoi që Manchester United të shpëtojë një sezon gati gati të dështuar. Me trofeun e parë të Europa League në muze dhe të dytin për Jose Mourinhon në aventurën e tij të re me “Djajtë e Kuq”, për skuadrën më të lavdishme të Anglisë hapet një kapitull i ri.