Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni tregon në një intervistë për gazetarin e Oversport, Olsi Tujani, pritshmëritë për sezonin në kupat e Evropës si dhe 3 golat më të veçantë nga seria prej 101 golash të realizuar në karrierë.

-Keni arritur kuotën e 101 golave në karrierë. E kishit menduar se do ia dilnit në një moshë kaq të re?

Jam shumë i gëzuar. Jam shumë i lumtur që puna e madhe që kam bërë dhe bëj çdo ditë, po më shpërblehet me golat. Për t’u theksuar është edhe fakti që unë nuk luaj si sulmues qendror, por si një mesfushor anësor me tipare sulmuese. Megjithatë, edhe duke luajtur në këtë rol, punoj shumë në mënyrë që të realizoj njësoj.

-Kë veçoni prej këtyre golave?

Së pari, do të veçoja golin që kam shënuar kur isha pjesë e Laçit në ndeshjen kualifikuese kundër Anorthosis në Laç. Së dyti, golin ndaj Betisit të realizuar në Europa League. Së treti, golin që kam shënuar në Torino ndaj Juventusit në Champions.

-Përballë një skuadër si Celtic në Europa League. Çfarë përgatitje speciale duhet për ndeshje të tilla?

Asgjë! Nuk ka nevojë për një motivim ekstra, pasi në çdo ndeshje, futem me të njëjtin mendim dhe të njëjtën dëshirë për të bërë maksimumin tim. Mjafton që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushë dhe e kemi forcën për të bërë mirë. Duhet që të përmirësojmë gabimet që bëmë në Glasgoë. E di që nuk do të jetë aspak e lehtë, por kam besim se do t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv. Është një ndeshje e madhe dhe uroj që të shënoj.

-Uzuni, a mendoni se ka përfunduar periudha e “stazhit” në Hungari për ju dhe a është koha për një hap të madh në karrierën tuaj?

Unë ndihem shumë mirë te Ferencvaros. Qyteti është i bukur dhe njerëzit më duan. Megjithatë, unë kam dëshirë që të bëj sa më mirë në kampionat dhe Europë. Të shënoj sa më shumë për ekipin dhe të largohem në një kampionat më të fortë.

-Keni oferta konkrete?

Për momentin nuk mund të flas për këtë. Ajo që mund të them është se duhet të shënoj shumë gola dhe të kem vazhdimësi.

– Keni shënuar në Champions. Keni shënuar edhe në Europa League. Përveçse në Hungari, Kroaci, Superiore dhe me Kombëtaren. Ku e ëndërroni golin e radhës?

Kundër Celtic (qesh…)/Oversport.tv