Lushnja ka mbretëreshën e saj, vendosur në qendër të qytetit.

Në një bust bronzi dy metra të lartë, Mbretëresha lushnjare qëndron ulur, këmbë mbi këmbë, me kitaren në dorë, dhe duke i bërë njerëzit që kalojnë atypari të këndojnë nëpër dhëmbë “O moj e bukur Arbëri”.

Është këngëtarja e madhe e gjithë Shqipërisë, Vaçe Zela, materializuar në bronz nga skulptori Arben Bajo, që prej dy vitesh, nën idenë e këngëtarit lushnjar Luan Manahasa, ka punuar për bërjen e bustit vendosur në qendër të Lushnjes, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes.

Iniciativa e Luan Manahasës u mbështet nga biznesmenë dhe qytetarë lushnjarë, për të realizuar këtë vepër gjigande edhe në aspektin monetar.

Tani lushnjarët do të kenë Vaçen e tyre. Shqiptarët që do të vizitojnë Lushnjen, patjetër do të ndalen te ky monument.

Për Luan Manahasën, që iu përkushtua këto dy vjet bustit të Bronzit, ka vetëm një fjalë “Vaçe, u kry”.

Burimi: newsbomb.al