Vdekja e Nick Gordon, ish-të dashurit të vajzës së Whitney Houston, Bobbi Kristina Brown, përmbyll kapitullin tragjik, jo vetëm të humbjes së një prej yjeve më të mëdha që ka njohur muzika, por edhe të vajzës dhe të fejuarit të saj, si trashëgues të demonëve që i kishin përndjekur para vdekjes së tyre.

Gordon, i cili nga shumëkush është konsideruar se i ka bërë më shumë dëm sesa të mira partneres së tij të ndjerë, ka vdekur në moshë 30 vjeçare si pasojë e mbidozimit me drogë.

Pikërisht nga problemet të lidhura me drogën, u gjet e vdekur në vaskë edhe Houston në vitin 2012, ndërsa tri vite më vonë, po në vaskë u gjet pa vetëdije vajza e saj, e cila pas gjashtë muajsh në koma, ndërroi jetë.

Vdekja e Whitney Houston

Diva e muzikës pop i kishte vizituar këngëtaret Brandy dhe Monica së bashku me Clive Davis (më 9 shkurt 2012) në përgatitjet e tyre para ndejës së Grammy Awards në hotelin Beverly Hilton në Beverly Hills.

Të njëjtën ditë, ajo e kishte bërë performancën e fundit publike kur iu bashkua Kelly Price në skenë në  Hollywood dhe interpretoi “Jesus Loves Me”.

Dy ditë më pas, më 11 shkurt 2012, Houston u gjet pa vetëdije në një vaskë në Beverly Hilton Hotel. Ekipet paramjekësore arritën në vendin e ngjarjes, ku e gjetën pa shenja jeta, u përpoqën ta ringjallnin, por pa sukses.

Mjeku ligjor në raportin e tij theksonte se shkaku i vdekjes ishin efektet aterosklerotike të sëmundjes së zemrës dhe përdorimi i kokainës. Ajo kishte marrë drogë pak para vdekjes. Analizat toksikologjike gjetën edhe barna dhe droga të tjera në organizmin e saj: difenilhidramin, alprazolam, kanabis dhe ciklobenzaprin. Mënyra e vdekjes është etiketuar si aksidentale, pasi ishte mbytur në ujin e vaskës pasi e ka humbur vetëdijen.

Vdekja e Bobbi Kristina Brown

Më 31 janar 2015, Gordon dhe një shok i tij e gjetën Bobbi Kristinan me fytyrë poshtë brenda një vaske në shtëpinë e saj në Alpharetta të Georgia. Ata u përpoqën t’ia jepnin ndihmën e parë derisa erdhën shërbimet emergjente. Sipas raportit të policisë, ajo ishte gjallë dhe merrte frymë kur është transportuar në spital.

Mjekët e vunë atë në komë të induktuar duke qenë se funksioni i trurit ishte zvogëluar, ndërsa u tha se mbijetesa e saj do të ishte një mrekulli. Me kalimin e muajve, gjasat për mbijetesë zvgëloheshin, ndërsa në prill, mjekët kishin thënë se ka dëmtim të pakthyeshëm trunor.

Edhe pse u dërgua nëpër gjëndrat më të mira mjekësore, specialistët i thanë babait të saj, Bobby Brown, se nuk mund të bëhet asgjë. Bobbi Kristina vdiq më 26 korrik 2015 në moshën 22 vjeçare.

Në raportin e autopsisë që u publikua më vonë, mjeku ligjor kishte gjetur gjurmë të kanabisit dhe alkoolit në organizmin e saj, si dhe barna për qetësim dhe ankth. Mirëpo, mënyra e vdekjes është lënë e papërcaktuar, pasi mjeku ligjor nuk ka mundur të përcaktojë nëse vdekja ka qenë aksidentale apo e qëllimshme.

Vdekja e Nick Gordon

Ish-i fejuari Bobbi Kristina Brown, Nick Gordon, ka vdekur si pasojë e mbidozimit me drogë (që besohet të jetë heroinë) në natën e Vitit të Ri (1 janar 2020). Ai ka përjetuar një seri sulmesh në zemër që i kishte përjetuar në spital.

Gordon ishte dërguar në kujdesin intensiv në një spital në Florida, mirëpo përkundër përpjekjeve të mjekëve, ata nuk kanë mundur ta shpëtojnë.

Një muaj para vdekjes, ai kishte pasur një tjetër mbidozim, por kishte mbijetuar, pasi një mik i tij i kishte dhënë Narcan, një antidot që reagon ndaj efekteve të heroinës. Po ashtu, mësohet se Nick ishte i pastrehë disa javë para vdekjes së tij.

Whitney dhe Bobbi Kristina ishin të vetmuara dhe të pikëlluara

View this post on Instagram

Can’t believe it’s been 5 yrs. RIH

A post shared by @ nickdgordon on

Whitney Houston e konsideronte Gordonin si famull dhe e mori të jetonte me të kur vajza e saj ishte 14 vjeçare. Madje Nick e thërriste nënë këngëtaren.

Në një intervistë, ai kishte rrëfyer se këngëtarja e ndjerë dhe Bobbi Kristina ndiheshin të vetmuara dhe të lënduara kur diva e muzikës pop u nda nga bashkëshorti i atëhershëm, Bobby Brown.

Houston dhe Brown kishin një martesë 15 vjeçare të mbushur me abuzim të drogës, probleme me ligjin dhe tradhti.

Të lidhur në pikëllim

Me kalimin e kohës, Gordon u bë burri kryesor i shtëpisë dhe i qëndroi pranë Bobbi Kristinas, kur nëna e saj, Whitney, u gjet e vdekur në vaskën e një hoteli në Beverly Hills.

Houston dhe vajza e saj ishin shumë të lidhura, prandaj ekzistonte shqetësim i madh se si do të përballej Bobbi Kristina me vdekjen e të ëmës, duke qenë se problemet me gjendjen e saj emocionale kishin filluar menjëherë.

Shqetësimi u rrit akoma më shumë, kur ajo dhe Gordon filluan të dalin në publik si çift, ndërkohë që romanca e tyre konsiderohej më shumë si lidhje “motër e vëlla”.

Bobbi Kristina kishte filluar të konsumonte alkool dhe abuzonte me drogën, ndërsa në vitin 2013 u fejua me Nick.

Pas kritikave të shumta për lidhjen e saj, Brown publikoi një reagim në Facebook: “Jam lidhur duke i dëgjuar njerëzit që thonë: ‘Eu, je fejuar me vëllanë tënd ose nëse Whitney do të ishte gjallë ne nuk do të ishim bashkë ose që ajo nuk do ta miratonte këtë’. Më lejoni të sqaroj diçka. Ne nuk jemi madje as vëlla e motër të vërtetë dhe ai as nuk është vëllai im i adoptuar”.

Në vitin 2014, ajo kishte shkruar në rrjetet sociale se është martuar me Gordonin, mirëpo kurorëzimi nuk kishte ndodhur ligjërisht.

Vdekja e Bobbi Kristinas dhe ndikimi te Gordon

Pas vdekjes së Bobbi Kristinas në vitin 2015, Nick kishte thënë se është i habitur ose ajo do të hynte në një vaskë, duke qenë se të dy kishin frikë nga vaskat që nga vdekja e Houston. Madje, ai kishte treguar se edhe dashura e tij kishte pirë që shumë saqë e kishte humbur vetëdijen brenda vaskës një natë para vdekjes së Whitneyt.

Vajza e këngëtares vdiq në moshën 22 vjeçare, ndërsa babai i saj, Bobby Brown, e konsideronte fajtor Gordonin për vdekjen e saj.

Derisa e dashura e tij ndodhej në koma, nga presioni i madh dhe akuzat, bënë që Gordon të thoshte në një emision se donte ta vrasë veten dhe për këtë arsye ishte zotuar të shtrihej në një qendër rehabilitimi.

Mirëpo, përkundër përpjekjeve për të shmangur vartësinë nga droga dhe alkooli, ai nuk pati sukses, ashtu që e humbi jetën pikërisht nga mbidozimi.

Burimi: telegrafi.com