Futbollisti Edouard Mendy, portier i Chelsea-it, iu drejtua rrjeteve sociale të enjten për të kritikuar mediat që kishin ngatërruar fotografitë e tij me atë të futbollistit të Manchester City, Benjamin Mendy.

Fotografitë e Edouardit, 29 vjeç, ishin publikuar në lajmet për Benjaminin, i cili të enjten u paraqit në një gjykatë britanike për t’u përballur me disa akuza përdhunimi.

Benjamin Mendy, 27 vjeç, me origjinë senegaleze, por i lindur dhe rritur në Francë, ishte pjesë e përfaqësueses franceze që u shpall kampione bote në vitin 2018. Ai është pezulluar nga skuadra e Manchester City-it dhe po kështu nga kombëtarja.

Një tjetër futbollist me mbiemrin Mendy, Ferland Mendy, kushëri me Edouard, por që luan me Realin e Madridit, u ngatërrua nga mediat britanike si të ishte Benjamini.

“Trishtim të shoh që në vitin 2021, si në Francë, po ashtu edhe në Angli, për disa lojtarët me ngjyrë janë të njëjtë edhe pse kanë emra dhe fytyra të ndryshme,” – shkroi në Instagram portieri i Chelsea-it.

Ferland Mendy shprehu gjithashtu shqetësim për këtë çështje. Ai shkroi në Twitter se mediat duhet të ndalojnë së bëri këtë ngatërresë, pasi është mungesë respekti dhe mbi të gjitha cenim imazhi.

Nga mediat në fjalë disa prej tyre fshinë postimet. Ndërkohë vetëm radioja franceze RFI kërkoi ndjesë.