Elseid Hysaj do të jetë një “Red devils”, të paktën kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Sun”. Paraqitjet e nivelit të lartë të ofruara nga lojtari i kombëtares shqiptare në këtë sezon nuk kishin si të mos tërhiqnin vëmendjen e klubeve më të mëdha të Evropës, por me sa duket betejën për të drejtat e tij e ka fituar Manchester United. Jose Mourinho i vlerëson maksimalisht cilësitë e shkodranit dhe sheh tek ai futbollistin ideal që mund të mbulojë një nga rolet ku 20 herë kampionët e Anglisë kanë pasur më shumë probleme atë të mbrojtësit të djathtë. Karakteristikat e tij si rezistenca fizike, efektiviteti në dyluftimet një për një dhe karakteri i fortë e kanë kthyer Hysajn në një profil mjaft të përshtatshëm për vizionin e lojës së portugezit. Napoli ka vendosur një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh për mbrojtësin i cili mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës së Sarrit në fazën difensive, me teknikun italian që jo pak herë e ka kritikuar presidentin De Laurentis në lidhje me klauzolën e Hysajt të cilën e konsideronte shumë të ulët. The Sun konsideron thuajse të mbyllur çështjen e transferimit të 24-vjeçarit shkodran në Old Trafford, që nëse do të realizohet do ta rendiste Hysjan  mbrojtësin e 7-të më të shtrenjtë në histori përpara Bonuccit. Që pas zëvendësimit të Louis van Gaal në 2016-ën, Mourinho e ka ruajtur  pozicionin e mbrojtësit të djathtë si një ekskluzivitet të Antonio Valencia gjithsesi me lojtarin nga Ekuadori që pritet të festojë 33 vjetorin e lindjes gjatë muajit gusht portugezi është vënë në kërkim të profilit ideal për këtë pozicion dhe Hysaj është njeriu i duhur. Nëse ky transferim konkretizohet atëherë do të ishte një hap gjigant në karrierën e shkodranit, por gjithashtu do të konsiderohej si transferimi më i rëndësishëm në historinë e futbollit tonë, pasi asnjë lojtar që ka përfaqësuar kombëtaren shqiptare nuk ka luajtur në një klub të një niveli kaq të lartë.