“Balcup Oversport” do të vijë së shpejti në shtëpitë tuaja. Një turne që në fokus ka futbollin e të rinjve dhe që do të transmetohet falas në kanalet Oversport në Tibo.

Pjesëmarrëse në garë do të jenë ekipet më të mira nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, që po konfirmohen nga dita në ditë. Regjistrimi përfundon më 20 dhjetor, ndërsa aktiviteti do të mbahet nga data 27 deri më 30 dhjetor.

“Balcup Oversport” organizohet në kompleksin “Football Republic” në Tiranë dhe në “Olympic Park” në Durrës, në kushte mjaft të mira, ku fëmijët do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre.

Organizatorët e këtij turneu kanë vendosur që kategoritë U11 dhe U17 t’i zhvillojnë ndeshjet në kryeqytet, kurse kategoritë U13 dhe U15 në qytetin bregdetar. Finalet më pas do të zhvillohen në “Football Republic”.

“Balcup Oversport” organizohet për herë të parë në vendin tonë dhe do të jetë një turne i përvitshëm, për të vijuar në evidentimin e elementëve të rinj që janë e ardhmja e futbollit në vendin tonë.