Kompania mëmë e Facebook, Meta Platforms, pa një rënie të vlerës së saj në tregun e aksioneve me më shumë se 230 miliardë dollarë të enjten, një humbje e nivelit rekord për një firmë amerikane.

Aksionet e saj ranë 26.4% pasi shifrat tremujore zhgënjyen investitorët. Rënia e çmimit të aksioneve të kompanisë bëri që vlera neto e shefit ekzekutiv Mark Zuckerberg të bjerë me 31 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.

Rënia e pasurisë personale të Zuckerberg ishte e barabartë me produktin e brendshëm bruto vjetor të Estonisë.

Të dhënat nga kompania Meta tregojnë se përdoruesit e Facebook ranë në 1.929 miliardë në tre muajt e vitit 2021, krahasuar me 1.930 miliardë në tremujorin e mëparshëm.