Miss Universe Albania organizon sonte natën e kurorëzimit, ku konkurrentet shqiptare do të përfaqësojnë dhe konkurrojnë për kurorën kombëtare. Mbretëresha në ikje e Miss Universe Albania 2018, Trejsi Sejdini do të kurorëzojë pasardhësen e saj në fund të mbrëmjes. Fituesja e konkursit do të përfaqësojë Shqipërinë në eventin e Miss Universe 2019.

Miss Universe Albania 2019, kompeticioni më i madh i bukurisë në Shqipëri, transmetohet Live në kanalin Vizion Plus dhe përcillet worldwide për bashkatdhetarët, ekskluzivisht nga TiBO IPTV.

Në një intervistë për TiBO IPTV, organizatori i eventit Z. Eduart Deda u shpreh se: “Jam shumë i kënaqur me kastin e vajzave që marrin pjesë këtë vit dhe jam i bindur se vajza që do të fitojë sot, do të jetë në 10-shen e Miss Universe 2019”.

Organizatorët kanë zbuluar së fundmi bukuritë që do të konkurrojnë në finale. TiBO IPTV ka nderin të mbështesë në këtë konkurs, volejbollisten shqiptaro-amerikane, Cindy Marina, e cila do të jetë pjesë e konkursit më 7 qershor përkrah vajzave më të bukura të Shqipërisë.

Duket se ky kapërcim nga parketi i volejbollit, tek pasarelat e modës po bëhet realitet për 20 vjeçaren e talentuar e cila është prej 3 vitesh pjesë e kombëtares kuq e zi të volejbollit të femrave. Hapat e para të Cindy-t në fushën e modelingut ishin në moshën 14 vjeçare, kur bukuria e saj u spikat nga stilistja e talentuar dhe e suksesshme në Miami, Ema Koja.

“Unë kam shumë pasione, ndër to artin, modën, volejbollin dhe më pëlqen shumë natyra” – thotë Cindy në një postim në rrjetet sociale. Për sa i përket pikave të saj të forta, ajo mendon se vetëbesimi është shumë i rëndësishëm dhe kur dikush beson tek vetja, bukuria e vërtetë del në pah.

Përveçse me një bukuri princeshash, Cindy është një vajzë e rritur mirë nga dy prindër që përkujdeseshin edhe për detajin më të vogël për të. E qetë, e ëmbël dhe mjaft e edukuar, por nga ana tjetër një luftarake në lojë, aktive si dhe një regjisore në parket. E rritur që e vogël me dashurinë për lojën në skuadër nga një mama volejbolliste dhe baba futbollist dhe atlet, Cindy mori më të mirat: disiplinën dhe frymën në grup.