Florian Marku arriti fitoren e dytë në MMA pasi mundi në Selanik serbin Suskasevic pas vetëm pak minutash që në raundin e parë duke treguar në kafaz të gjitha cilësitë e tij më të mirë në kickbox. Në një atmosferë të jashtëzakonshme, Marku u ngjit mbi ring i shoqëruar nga tingujt e kuq e zi je ti që elektrizoi sallën, teksa i pranishëm ishte për të ndjekur këtë sfidë dhe ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Marku, që është një prej kickboxer-ëve më të mirë në Europë ishte stërvitur shumë për këtë përballje mbi të gjitha në mundje, ku megjithatë hasi disa vështirësi aq sa në fillim kundërshtari e mbërtheu fortë, por Marku jo vetëm që arriti të lirohet por sulmoi Suskasevicin me një seri goditjesh dhe pasi e mbërtheu në tapet, rivali u dorëzua duke i dhënë fitoren e dytë në po kaq ndeshje Markut.

Në fund Florian Marku pati dhe një përshëndetje të veçantë për të gjithë shqiptarët teksa i përshëndeti të gjithë nëpërmjet Digitalb, që bëri të mundur transmetimin e kësaj përballje dhe në Shqipëri.