Një ekip inxhinierësh në Holandë po punojnë për realizimin e një modeli avioni në formë “V”-je, i cili mund të ndryshojë rrënjësisht industrinë e transportit ajror.

Projekti po koordinohet nga Roelof Vos, një asistent profesor në Fakultetin e Inxhinierisë së Hapësirës Ajrore në Universitetin TU Delft në Holandë.

I ashtuquajturi “Flying V” ka një dizajn inovativ në formë ovale. Ai ka tërhequr vëmendjen e kompanive të mëdha si Airbus apo KLM për një të ardhme me transport krejtësisht miqësor ndaj mjedisit.

“Duam të kemi ndikim të madh në reduktimin e konsumit të karburantit dhe ky avion është projektuar për të qenë më efikas në energji”, tha Vos.

“Flying V” ishte ide e patentuar e Justuce Benad, një ish-praktikant në selinë e Airbus në Hamburg, i cili vendosi bordin e një avioni A380 ta shpërndante në dy pjesë të bashkuara në një kënd me njëra-tjetrën.

Vendi i ngarkesave ndodhet brenda krahëve pas një kabine ovale 6,1 metra të gjerë për pasagjerët. Avioni përmban pjesë që mund të hiqen lehtësisht për të zvogëluar madhësinë.

Vos thotë se grupi ka si synim vitin 2041 për të lëshuar në qiell prototipin e parë. Ai pranon se ka shumë përpara, por thekson se modeli është premtues.