Google dhe YouTube kanë vendosur t’u kufizojnë të ardhurat grupeve apo personave që shpërndajnë materiale video me informacione të rreme.

Kështu dy platformat më të mëdha të shpërndarjes së videove në rrjet do t’u ndalojnë mundësinë e përfitimeve ekonomike nga klikimet atyre që shpërndajnë materiale që mohojnë për shembull ngrohjen globale, apo ndryshimet e klimës.

Duke nisur nga sot videot me përmbajtje të tilla mund të qasen në internet, por prodhuesit e tyre nuk do të mund të përfitojnë asnjë të ardhur nga reklamimi në Google dhe YouTube.

Dy gjigandët e rrjetit kanë ri-përcaktuar algoritmet për të pikasur të gjitha materialet që mohojnë apo nxisin konspiracione për çështje të interesit mbarë-botëror siç janë ngrohja globale dhe pandemia.

Synimi është që të goditen të ashtuquajturat lëvizje negativiste, të cilat mohojnë dhe nxisin mos-bindje të qytetarëve ndaj autoriteteve përmes konspiracioneve apo narrativave që nuk kanë bazë informimin objektiv.