Dolores O’Riordan, liderja e “The Cranberries”, ndërroi jetë në moshën 46-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga publicisti i grupit irlandez. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes. Në vitin 2017, këngëtarja u detyrua të anulonte turneun, për shkak të problemeve me shpinën. O’Riordan ndodhej në Londër për të regjistruar disa këngë.

Në deklaratën për shtyp thuhet se vdekja ishte e papritur dhe se familjarët janë të shkatërruar nga ky lajm, duke kërkuar privatësi në këtë moment të vështirë.

Presidenti irlandez, Michael D Higgins u shpreh tepër i trishtuar: “Për të gjithë ata që ndjekin muzikën irlandeze dhe artistët tanë, vdekja e Dolores është një humbje e madhe”.

Muzikantë nga e gjithë bota kanë shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet për familjen, njëkohësisht dhe habinë, shokimin dhe trishtimin për humbjen e një artisteje.

Ndër këngët e suksesshme të “The Cranberries” janë: “Zombie”, “Linger”, “Dreams”, “Ode To My Family”, “Animal Instinct”, “When You’re Gone”, “Just My Imagination”, “Promises”, “Can’t Be With You”, “Salvation”, “Ridiculous Thoughts”, “This Is the Day”, e shumë të tjera.