Franca në finalen e Nations League, me një fitore karakteri kundër Belgjikës. Një duel që pati 5 gola dhe heroi ishte Theo Hernandez, i cili me golin e tij fantastik vulosi rezultatin 3-2 në favor të kampionëve të botës.

Belgjika e nisi më mirë ndeshjen, duke rrezikuar me De Bruyne 4 minuta nga nisja e ndeshjes. Lloris bëri mrekullinë në zonë, por nuk kishte çfarë bënte në dy raste të tjera, kur Carrasco dhe Lukaku ia dolën të shënojnë.

“Red Devils” shkuan në pushim me epërsinë e dy golave. Në të dytën Franca ishte e dënuar të reagonte dhe Griezmann humbi një mundësi të mirë shënimi. Gjithsesi Benzema i hapi llogaritë në minutën 62-të.

Shtatë minuta më pas, me ndihmën e VAR, Franca mori një penallti dhe Mbappe nuk fali. 2-2 dhe shumë spektakël. De Bryune dhe Pogba mund të kishin kaluar skuadrat respektive në epërsi, ndërsa Lukakune kapi VAR në pozicion jashtë loje kur shënoi.

Kur u mendua se nuk do të kishte fitues në 90 minuta, atëherë u shfaq Theo Hernandez, i cili goditi fort dhe e çoi topin në rrjetë, duke i dhënë fitoren dhe finalen Francës, që do të ndeshet me 10 tetor me Spanjën për trofeun/Oversport.