Tenori i njohur Gaqo Çako dhe babai i kantautorit Pirro Çako u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurës në banesën e tij në moshën 83-vjeçare.

Përmes karrierës së gjatë operistike që nga vitet ’60, Çako ka qenë simboli kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit, i cili qe i pari që njoftoi për largimin nga jeta të Artistit të Popullit me një postim në faqen zyrtare.

“Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta më parë është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Çako. Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tiranë. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të Gaqo Çakos.”

 

 

Tenori i famshëm, që është rreshtuar krah emrave më të mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Mentor Xhemali e Ramiz Kovaçi, studioi në konservatorin “Çajkovski” në Moskë dhe më pas u kthye në Shqipëri në vitet ’60 për t’u emëruar si tenor i përhershëm i TKOB.

Operat si “Bohema”, “Rigoleto”, “Traviata”; ato shqiptare si “Mrika”, “Lulja e kujtimit”, “Heroina”, “Skënderbeu” dhe pjesëmarrja edhe në Festivalet e Radios i dhuruan artistit një karrierë të shkëlqyer.

Homazhet në nder të tij do të mbahen në hollin kryesor të Muzeut Historik, në orën 11:00-12:00 të ditës së sotme (2 gusht).