Kostandin Grillo, gazetari i njohur sportiv, u nda sot nga jeta si pasojë e COVID-19.

Lajmi u bë me dije nga familjarë të tij, të cilët e kishin dërguar për mjekim më të specializuar në Turqi.

Kolegë të tij, dashamirës të sportit si dhe personalitete të politikës shprehën në rrjetet sociale ngushëllime.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e konsideroi Grillon një personazh të dashur për tifozët shqiptarë, “të cilët për vite me radhë kanë përjetuar ndeshjet nën komentin e tij”.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi “sportdashës të paepur dhe njeri plot energji pozitive”, ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, theksoi si lajm të trishtë ndarjen e tij nga jeta.

Kostandin Grillo nisi punën si gazetar sportiv në fund të viteve 80-të duke kontribuuar me kronika dhe artikuj të ndryshëm.

Ai spikati më së shumti në koment, fillimisht në Radio-Televizionin Publik Shqiptar e më pas në kanalet sportive të platformave digjitale.