Dy studime të reja kanë publikuar të dhëna që tregojnë se tregu me shumicë i ushqimeve të detit në Wuhan të Kinës është origjina e vërtetë pandemisë së Covid . Tregu quhet Huanan. Shkencëtarët arritën në përfundimin se virusi ka shumë të ngjarë të ketë qenë i pranishëm tek gjitarët e gjallë të shitur në treg, që në fund të vitit 2019.

Studimet të cilat ende nuk janë botuar në revistë shkencore, sugjerojnë se virusi u përhap dy herë tek njerëzit që punonin ose bënin pazar atje.

Ata përjashtojnë idenë që virusi të ketë dalë nga ndonjë laborator. Megjithatë, të tjerë shkencëtarë thonë se nuk janë të bindur nga këto studime.

Sipas tyre, nuk ka asnjë provë direkte që kafshët në treg ishin të infektuara me koronavirus. Asnjë kafshë e egër nuk kishte mbetur atje deri në kohën kur studiuesit kinezë mblodhën mostrat gjenetike në fillim të vitit 2020.

Michael Worobey, një bashkautor në të dyja studimet dhe biolog evolucionar në Universitetin e Arizonës thotë se të dhënat tregojnë qartë që pandemia filloi në tregun në Wuhan të Kinës. Por nga Kina vijon të mohohet.