Pas një vere të nxehtë, tashmë vëmendja e të gjithëve rikthehet tek puna dhe ekrani, e padyshim Vizion Plus është aty me ju.

Sezoni i ri ngre siparin ditën e hënë, për t’iu shoqëruar përgjatë gjithë vitit me një programacion të pasur, një gërshetim mes programeve tradicionale dhe prurjeve të reja.

E nisim ashtu sikurse e kemi bërë traditë në Vizion Plus, në “7pa5” me Pranvera Borakaj. Tregohuni të përpiktë për te mos humbur asgjë nga një vakt mëngjesi plot me informacion, nga temat më të diskutuara të momentit e deri te këshillat praktike për një jetë të shëndetshme.

Pasditja mbledh të gjithë familjen rreth ekranit të Vizion Plus, me Evi Reçin në studion e “Vizioni i Pasdites”. Në sezonin e tij të 9-të të këtij formati do të ndani pasditet tuaja me personazhe, rrëfime ekskluzive, tema sociale dhe çdo gjë qe është pjesë e të përditshmes tonë.

Ndërsa me 5 tetor rikthehet teatri i madh i humorit në sezonin e tij te 8-të në Vizion Plus për të risjellë buzëqeshjet e të shtunës. show më i ndjekur i humorit, “AlPazar” nga Agron Llakaj dhe ansambli i aktorëve janë ne përgatitjet e fundit për një tjetër sezon ku kryefjala mbetet gjithmonë humori dhe e qeshura.

“Ne do të komunikojmë përsëri me ju”, nën këtë moto rikthehet në fillim te muajit nëntor Reality Show i njohur, “Nga e Para”. Pas një sezoni të suksesshëm, Anila Çela dhe stafi i arkitektëve, projektuesve dhe ndërtuesve kanë rinisur përgatitjet për një tjetër rrugëtim shprese duke ofruar një mënyrë të re jetese.

Nuk do të mungojë edhe në këtë sezon hapësira kushtuar politikës dhe aktualitetit. Një talk-show mbi temat politike dhe sociale të prekshme dhe që gjenerojnë një debat konstruktiv. Në ditët në vijim pritet të zbulojmë edhe moderatorin e tij.

Emisioni Next, do të vijojë të sjellë informacionet dhe lajmet më të fundit nga teknologjia, muzika e bota e showbizz-it, por këtë herë me një prezantuese të re, pasi Inger Skura pritet të sjellë në javët në vazhdim formatin e saj te ri kushtuar modës.

E sigurisht nuk do të mungojnë edhe në këtë sezon hapësira kushtuar serialeve. Produksionet më të suksesshme turke, prodhime të 2019-ës, vlerësuar me nota maksimale nga kritikë dhe të ndjekur masivisht nga audienca, do të vijojnë të jenë pjesë e strukturës programore të Vizion Plus. Premiera e sezonit të serialit “Molla e Ndaluar”, të cilën nga tetori do të keni mundësinë ta ndiqni në prime-time, premiera absolute e “Lot në Detin e Zi”, serialit më të ndjekur të 7 viteve të fundit, një tjetër superproduksion nga Osman Sinav, si edhe premiera e sezonit të “Familja e Madhe”, janë gjithçka qe do t’u mbajnë të mbërthyer pas ekranit të Vizion Plus.

Burimi: imalbania