Varianti i ri i Covid- Omicron u identifikua për herë të parë më 23 Nëntor të këtij viti dhe deri më tani është klasifikuar si variant shqetësues për shëndetin global. Ky variant përbëhet nga numër i lartë mutacionesh dhe mund të anashkalojë imunitetin.

Agjencia për Shëndetin dhe Sigurinë në Britani e përshkruan këtë variant si më shqetësuesin ndër variantet e tjera, ndërsa OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë)  thotë se paraqet një rrezik global të nivelit të lartë.

Varianti Omicron ka më shumë se 30 mutacione në proteinën ‘spike’, që i duhet virusit për të depërtuar në qelizat e trupit të njeriut. Ky numër mutacionesh është shumë herë më i lartë se varianti Delta.

Sipas ekspertëve, Omicron mund të riinfektojë persona që kanë kaluar Covid. Ka gjithashtu shqetësime se mund të anashkalojë edhe vaksinën. Pavarësisht se varianti i ri lidhet me provincën Gauteng të Afrikës së Jugut, jo domosdoshmërisht ka origjinën në këtë provincë. Mostra e parë me këtë variant është marrë më 11 Nëntor në Botswana.

Nuk është e qartë ende nëse është më i transmetueshëm se variantet e tjera, por rastet në Afrikën e Jugut kanë qenë të larta në numër. Simptomat duket se nuk përfshijnë humbjen e shijes apo nuhatjes si ato klasiket të varianteve të tjera, por mbilodhje dhe puls të shtuar të rrahjeve të zemrës.

Rastet tashmë janë konfirmuar në vendet si Australia, Belgjika, Britania, Kanadaja, Danimarka, Egjipti, Franca, Gjermania, Izraeli,  Mozambiku, Holanda dhe Portugalia.

Pavarësisht pezullimit të udhëtimeve në disa vende, ekspertët për ‘The Guardian’ thonë se nuk ka gjasa të ndalojnë përhapjen e variantit të  ri.