Kremlini po provokon me lëvizje ushtarake ndaj Ukrainës, pasi mijëra trupa rusë filluan të enjten stërvitjet 10 ditore në Bjellorusi.

Ukraina paralajmëroi gjithashtu për stërvitjet e ardhshme detare ruse aq të mëdha sa do të bllokonin korsitë e transportit detar. Përveç Bjellorusisë, janë zbuluar dislokime të pajisjeve ushtarake dhe trupave ruse në Krime dhe në Rusinë perëndimore.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov ka hedhur poshtë bisedimet me homologun e tij britanik dhe ka deklaruar se Perëndimi nuk po i trajton seriozisht shqetësimet urgjente të Ukrainës. Presidenti rus ka thënë se negociatat po vazhdojnë duke shtuar se po planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike në ditët në vijim me presidentin francez.

Ndërkaq, presidenti amerikan Joe Biden ka vendosur t’u bëjë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen sa më shpejt nga atje. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk do të dërgojë trupa për largimin e amerikanëve nga vendi në rast të një pushtimi të mundshëm nga Rusia.

Kievi ndërkaq po inkurajon armatosjen e grupeve paraushtarake nacionaliste për të penguar pushtimin rus. Por ata gjithashtu mund të destabilizojnë qeverinë nëse ajo bie dakord për një marrëveshje paqeje që ata e refuzojnë.