Drejtori ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla thotë se një vaksinë vjetore anti-Covid do të ishte më e preferueshme sesa vaksinat me doza përforcuese.

Deklarata e tij u bë të shtunën teksa ekspertët po studiojnë mënyra mbi dhënien fund të luftës ndaj pandemisë së koronavirusit.

Vaksina anti-COVID-19 nga Pfizer/BioNtech ka rezultuar efektive kundër sëmundjes rëndë dhe vdekjes së shkaktuar nga varianti Omicron, megjithatë ka dalë më pak efektive në parandalimin e transmetimit të virusit.

Me rritjen e rasteve me variantin e ri të Covid, disa vende kanë prezantuar programin ku qytetarëve u kërkohet të bëjnë doza përforcuese të vaksinave anti-Covid ose kanë shkurtuar hendekun midis injektimeve ndërsa qeveritë përpiqen të forcojnë mbrojtjen.

Në një intervistë me N12 News të Izraelit, Albert Bourla u pyet nëse dozat përforcuese të vaksinave anti Covid mund të administrohen çdo katër deri në pesë muaj. Por ai tha se ky nuk do të jetë një skenar i mirë.

“Ky nuk do të jetë një skenar i mirë. Ajo që unë shpresoj është që ne do të kemi një vaksinë që do të duhet ta bëni një herë në vit. Një herë në vit është më e lehtë të bindësh njerëzit që ta bëjnë. Është më e lehtë për njerëzit të kujtojnë. Pra, nga perspektiva e shëndetit publik është një situatë ideale. Ne po kërkojmë të shohim nëse mund të krijojmë një vaksinë që mbulon Omicron dhe nuk harron variantet e tjera dhe kjo mund të jetë një zgjidhje”, deklaroi Bourla.

CEO i Pfizer shtoi se kompania mund të jetë gati të paraqesë për miratim një vaksinë të ridizajnuar për të luftuar Omicron dhe ta prodhojë atë në masë, që në muajin mars.