Pas më shumë se një viti në pandemi për shkak të COVID-19, mbeten ende pyetje në lidhje me simptomat që shkakton. Një prej tyre është humbja e shijes dhe nuhatjes, që quhet Parosmia.

Por sa zgjat? A mund të rikuperohet pas shërimit? A ka gjasa që nuhatja dhe shija të mos jenë më të njëjta si para infektimit? Çfarë do të thotë konkretisht Parosmia?

Studiuesit kanë zbuluar së fundmi më shumë. Ata thonë se çështja e shijes dhe nuhatjes nuk është aq kalimtare sa mendohet.

Studimi i një Universiteti në St.Louis të SHBA-ve ka zbuluar se 700 mijë deri në 1.6 milionë njerëz në SHBA po përjetojnë humbje të shijes në mënyrë kronike për shkak të koronavirusit. Studimi është publikuar më 18 nëntor në revistën Jama Otolaryngology–Head & Neck Surgery.

Megjithatë, studiuesit pranojnë se numri i personave që përjetojnë humbje të shijes ose nuhatjes në mënyrë kronike është më i lartë se sa raportohet. Kjo për shkak se shumë raste të COVID-19 me të tilla simptoma nuk janë vënë në vëmendje, apo personat e infektuar nuk kanë pasur shenja të tjera shqetësuese për të kërkuar ndihmë mjekësore.

A është shqetësuese?

Studiuesit thonë se në fakt është një shqetësim për shëndetin publik, sepse ndikon në mënyrën e jetesës, cilësinë e saj, ka ndikim në dietë, rritje të ankthit, higjienën personale, deri në shkaktimin e depresionit.

Çfarë është Parosmia?

Parosmia do të thotë ndryshim në perceptimin normal të aromës. Për shembull, një aromë e mirë perceptohet nga pacienti i prekur si aromë e pakëndshme. Zakonisht, personat e prekur humbasin fillimisht ndjesinë e të nuhaturit dhe më pas të shijes.

Ekspertët ende nuk e dinë se pse sëmundja e COVID-19 shkakton Parosminë dhe sa kohë zgjat saktësisht, por deri më tani studimet kanë treguar se zgjat nga 6 muaj deri në tre vite.