Më 2 tetor 2021 Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ) publikoi një seri dokumentesh të etiketuar si “Pandora Papers”.

Kjo seri vinte në dukje se si udhëheqës botërorë, personalitete të njohura të sipërmarrjes, sportit apo dhe spektaklit kishin fshehur rreth 10 trilionë euro investime përmes 29 mijë kompanive guaskë në parajsa fiskale.

Kompanitë guaskë janë kompani të hapura si filjale në vende të ndryshme nga një kompani mëmë që zakonisht ka për bazë një vend që ofron lehtësira fiskale. Një nga lehtësirat kryesore është mbulimi i emrit të pronarit. Në këtë mënyrë personi në fjalë mund të shmangë taksat e të ardhurave në vendin ku jeton.

Në dokumentet e rrjedhura nga ICIJ janë identifikuar të paktën 336 politikanë me ndikim të gjerë në botë, të cilët kishin hapur rreth 1 mijë kompani offshore kryesisht në ishujt britanikë Virgin.

Nga këta Mbreti i Jordanisë, Abdullahu i II-të, dallonte me mbi 30 kompani me të cilat kishte blerë 90 milionë euro prona të paluajtëshme në Britaninë e Madhe.

Ngjashëm kryeministri çek Andrej Babis, kishte rreth 20 milionë euro investime përmes kompanive offshore kryesisht në Francë.
Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso rezultonte pronar i dhjetëra fondeve të investimit në SHBA.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair, këngëtarja kolumbiane Shakira, sportisti indian Sachin Tendulkar dhe modelja gjermane Claudia Schiffer ishin gjithashtu në këtë listë.

Në raportim përmenden 13 kompani offshore të lidhura me sipërmarrës shqiptarë dhe një politikan shqiptar.
Zyrtarisht janë mundur të administrohen rreth 12 milionë dokumente si fotografi, e-maile, videoprezantime apo dhe fashikuj të rrjedhura nga 14 sipërmarrje financiare të vendeve offshore.

Publikimi i Pandora Papers nga ICIJ është vijimësi e një publikimi të ngjashëm në vitin 2016 njohur si Panama Papers.

Këto lloj publikimesh konsiderohen me rëndësi pasi nxjerrin në pah hipokrizinë, konfliktet e interesit dhe evazionin fiskal që bëjnë njerëzit me pushtet në vende të ndryshme të botës.