Vaksinat ndikuan në frenimin e lehtë të pandemisë, por bota vijon të ketë nevojë për medikamente që trajtojnë COVID-19.

Së fundmi variante të reja të virusit kanë vënë në sprovë edhe vetë formulat e vaksinave.

Por çfarë medikamentesh dhe trajtimesh janë zhvilluar deri më sot kundër COVID-19?

Ilaçet anti-inflamatore – lehtësojnë reagimin e tepërt të sistemit imunitar gjatë fazave të përparuara të sëmundjes nga COVID-19 duke shmangur ndërlikimet vdekjeprurëse.

  • Dexamethasone – lloj preparati anti-inflamator që ekzistonte para pandemisë. Ilaçi i parë i provuar me efekte të lehta kundër COVID-19.
  • Tocilizumab dhe Sarilumab – Preparate anti-inflamatore të përdorura kryesisht në Kinë, Indi dhe Australi. Por deri 100 herë më të shtrenjta se deksametasoni.
  • Budesonide – ilaç kundër astmës, thuhet se ndihmon ata me simptoma të hershme të COVID-19, që mund të riaftësohen më shpejt.

Ilaçet anti-virale – bëjnë më të vështirë riprodhimin e koronavirusit brenda qelizave të trupit.

  • Paxlovid – pilulë që merret dy herë në ditë për pesë ditë (sipas prodhuesit Pfizer ul rrezikun e vdekjes me 89% tek të rriturit e rrezikuar ndaj COVID-19).
  • Molnupiravir – vështirëson riprodhimin e virusit. Prodhuesi Merck thotë se ul rrezikun e vdekjes me rreth 50%.
  • Remdesivir – përdoret në disa vende, por OBSH ka lajmëruar se në rastet e shtruara në spital ka pak, ose aspak efekt.

Terapia me antitrupa – ndërfutje (terapia monoklonale) e antitrupave shtesë që sulmojnë virusin.

  • Ronapreve – nga Regeneron dhe Roche, pretendohet se redukton kohëzgjatjen e qëndrimit në spital dhe rrezikun e vdekjes.
  • Sotrovimab – i prodhuar nga GSK, pretendohet se ul me 79% mundësinë e vdekjes tek të rriturit e rrezikuar nga COVID-19.
  • Ivermectin – është promovuar në mënyrë të diskutueshme për përdorim në shumë shtete, por nuk ka ende prova që funksionon.
  • Terapia me Plazmë – marrja e antitrupave nga gjaku i pacientëve të shëruar nga COVID-19, por deri më tani nuk ka të dhëna që tregojnë se ka reduktuar ndjeshëm vdekjet.
  • Medikamentet kundër HIV dhe Malarie – spekulime të shumta kanë thënë se mund të trajtojnë COVID-19, por nuk ka pasur të dhëna bindëse.

Disa medikamente të  tjera janë shpallur si terapi të mundshme për COVID-19, por në shumë raste nuk ka pasur shenja klinike bindëse se kanë përmirësuar të sëmurët me COVID.

Deri më sot anti-inflamatorët kanë dhënë më tepër efekte kundër varianteve të COVID-19.

Anti-viralët duket se funksionojnë mirë, por deri më tani efektet më të forta i kanë pasur kundër varianteve të para të COVID-19.