“Çamëria, një zë që duhet dëgjuar” është libri më i fundit që rikthen në vëmendje çështjen çame.

Libri i punuar nga i ish-diplomati Petrit Begati dhe me botues Alfred Cakon, u prezantua përmes një konference për shtyp mbrëmjen e së premtes gjatë panairit të librit në Tiranë. Konferenca u mbajt nga Akademia e Studimeve për Çamërinë, e cila mbështeti publikimin e librit.

Ish-deputeti Tahir Muhedini, i cili drejton Akademinë, e vlerësoi si punim të shkëlqyer që i shkon për shtat synimit për të ushqyer çështjen çame me punime shkencore.

“Një libër që i thotë gjërat hapur”, apo “libër amanet-folës”, e cilësoi shkrimtari Enver Kushi, i cili i kishte dedikuar parathënien botimit.

Historiani Marenglen Kasmi e vlerësoi autorin Petrit Begati për kujdesin e treguar në përmbledhjen e ngjarjeve, dokumenteve dhe raportimeve në mënyrë që kujtimi i të parëve çamë të mos humbasë.

Botuesi Cako ndau me të pranishmit kënaqësinë e mbështetjes për librin. Ai tha se si kolonjar ndihej i detyruar për një gjë të tillë, pasi, siç theksoi ai, edhe Kolonja ka vuajtur përndjekjet e shtetit grek.

“Camëria është gjaku që nuk do të falet, e shkuara që shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë,” – theksoi Cako.

Vetë ish-diplomati Begati u shpreh i emocionuar për mbështetjen dhe botimin e librit. Ai kujtoi periudhën kur shërbeu në diplomacinë shqiptare në vitet 1992-1997. Ndërkohë theksoi se ndihet i lumtur që vetë ai dhe çamët janë në anën e duhur të historisë.

“Ka ardhur momenti që politika t’ua lërë kohën historianëve dhe specialistëve, e të flasë vetë historia. Duhet bashkim për të kërkuar të drejta për vendin tonë,” – theksoi Begati, i cili ndau me keqardhje se piketat që ai dhe kolegët e tij vendosën në periudhën 92-97 nuk u çuan përpara.

I pranishëm në konferencë ishte edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili pavarësisht moshës mbetet aktiv dhe një mbështetës i çmuar i çështjes çame. Ai tha se tashmë koha për Shqipërinë është që të flasë më tepër me dokumente dhe botime për çështjet kombëtare dhe për këtë përgëzoi Begatin dhe Akademinë për punën e kryer.

Akademia e Studimeve për Çamërinë u prezantua për herë të parë më 27 qershor të këtij viti në një konferencë në Akademinë e Shkencave, organizuar me rastin e 77-vjetorit të gjenocidit grek.

Synimi i Akademisë është që të mbështesë botime si ato të Begatit në mënyrë që çështja çame të jetë në tryezat e politikës shqiptare brenda kornizave shkencore sa herë të ketë diskutime me shtetin grek.

Begati jeton prej mbi 20 vitesh në Austri. Kontributi i tij me librin ia dedikon brezave të rinj me urimin që në të ardhmen të ketë një libër tjetër me titull “Çamëria një zë që u dëgjua!”.