Kompania Pfizer ka nënshkruar një marrëveshje me një grup të mbështetur nga OKB-ja për të lejuar kompanitë e tjera të prodhojnë ilaçin e saj eksperimental kundër COVID-19.

Kjo lëvizje mund ta bëjë trajtimin të disponueshëm për më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Në një deklaratë të lëshuar të martën, Pfizer tha se do t’i jepte licencë për barnën antivirale organizatës së Patentave të Barnave me bazë në Gjenevë, e cila do t’i lejojë kompanitë gjenerike të barnave të prodhojnë pilulën për përdorim në 95 shtete të ndryshme, që mbulojnë rreth 4 miliardë njerëz ose 53% të popullsisë së botës.

Ekspertë të shëndetësisë janë shprehur optimistë nga fakti se marrëveshja u arrit edhe përpara se anti-virali i Pfizer të autorizohej nga agjencitë. Ky hap mund të ndihmojë për t’i dhënë më shpejt fund pandemisë së COVID-19.

Tashmë, përveç Pfizer, kompanitë e tjera farmaceutike do të jenë në gjendje të fillojnë prodhimin e pilulës brenda pak muajve, por sikurse paralajmërojnë ekspertët, marrëveshja nuk do t’i kënaqë të gjithë pasi disa vende mund të mbeten jashtë përfshirjes direkte si vend prodhues – mes tyre Kina, Argjentina, Tailanda dhe Brazili.

Sidoqoftë ngushëlluese për këtë pjesë është fakti se kompania britanike Merck, që ka marrë gjithashtu miratimin për një anti-viral të prodhuar prej saj që jep efekte ndaj COVID-19, ka siguruar që të prodhohet në të paktën 105 shtete.

Kompanitë farmaceutike kanë pasur tjetër qasje për sa i përket vaksinave. Ato kanë refuzuar që t’ua lëshojnë të drejtat e prodhimit shteteve apo kompanive të tjera.