Gjykata e Larisës vendosi të dënojë me 3 vjet heqje lirie me kusht dhe një gjobë prej 200.000 euro, për 54-vjeçarin N.Dh, pasi e gjeti atë fajtor per akuzën e vjedhjes se sinjalit televiziv dhe pirateri të platformave televizive.

Sipas gjykatës greke, N.Dh,u gjet fajtor, pasi në momentin e arrestimit të tij prej anti krimit ekonomik të policisë helene, në banesën e tij u gjetën aparatura që përdoreshin për të shpërndarë sinjalin e platformave televizive vendase, por edhe ato shqiptare, serbe dhe bullgare.

Autoritet thanë se 54-vjeçari grek,pranoi se paguhej prej gati 1000 klientëve të tij, për këtë shërbim, kundrejt shumave nga 10 në 30 euro në muaj për çdo klient, duke akumuluar përfitim të pa drejtë dhe të pa tatuar prej sistemit fiskal vendas, gjithashtu, për këto përfitime, rezultoi se nuk ishin paguar as të drejtat e autorit, çka rendoi edhe me shume pozicionin e tij në Gjykatë.

Gjykata i dha afat 54 vjeçarit që të vendose brenda një muaji mënyrën sesi do t’i paguaje paratë e gjobës, kesh, apo me 12 këste, gjithashtu, gjykatësi në vendimin e tij, e kushtëzoi dënimin e dhënë, me premtimin zyrtar të autorit, se nuk do ta përsërisë më këtë vepër penale.

Ky është vendimi i radhës për piratet televiziv greke. Më herët një gjykate në Selanik dënoi në mënyrë analoge, një tjetër shtetas grek për të njëjtën akuzë, ndërsa ministria greke e Drejtësisë ka kërkuar ndryshimin urgjent të ligjit mbi piraterinë televizive, duke e rënduar edhe më shumë vjedhjen e programeve televizive me dënime me burg dhe gjoba edhe më të rënda.

Platformat televizive greke dhe ajo shqiptare Digitalb, kanë denoncuar pranë autoriteteve greke, me emra dhe adresa disa pirate televizive, të cilët po përballen me gjyqe dhe gjoba tepër të rënda.

Burimi: Top Channel