Popullariteti botëror i serisë koreane të filmit “Squid Game” ka ngjallur një interes edhe më të madh për të hapur llogari në Netflix.

Kompania më e madhe në botë e transmetimeve televizive përmes shërbimit streaming ka tejkaluar pritshmëritë e të ardhurave dhe abonimeve vjetore me të paktën dy muaj përpara fundit të vitit.

Pas një luhatje të ndjeshme në fillim të vitit 2021, Netflix tha të martën se fitoi 4.38 milionë abonentë vetëm në periudhën korrik-shtator duke shkuar në një total prej 213.6 milionë abonentësh në botë.

Kjo shifër është më e lartë se pritshmëritë e vendosura nga vetë kompania dhe po kështu nga bursa e Wall Street.

Netflix iu gëzua një bumi abonimesh vitin e shkuar, kjo për shkak të kufizimeve të diktuara nga pandemia e COVID-19 ku njerëzit e izoluar në shtëpi shtuan ndjeshëm orët përpara televizorit.

Një vit më vonë, kompani të tjera si Disney+ apo HBO Max u futën ndjeshëm në treg duke i bërë konkurrencë Netflix-it.

Por kompania ka ri-zgjuar interesin e teleshikuesve falë filmit serial “Squid Game”, ku pas 17 shtatorit gëzoi një shpërthim të vërtetë shikuesish dhe abonentësh.

Të mërkurën Netflix tha se të paktën 142 milionë persona e kanë parë serialin.

“Squid Game” është një mini-serial thriller i bazuar në një dramë sociale siç është varësia në lojërat e fatit. Personazhet kryesore, – disa të varur nga bastet – joshen të luajnë një lojë që u premton atyre një shpërblim të majmë, por ata befasohen teksa zbulojnë se kush e humbet lojën vritet.

Netflix parashikon se me këtë ritëm të ri, në fund të vitit, do të ketë 8.5 milionë abonentë të rinj.