Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili vitin e ardhshëm pret të rikandidojë, realizoi një gol në një ndeshje bamirësie të enjten.

Macron u shfaq tejet i buzëqeshur teksa ndau fushën me ish-kapitenin e Francës, Marcel Desailly dhe ish-trajnerin e Arsenalit, Arsene Wenger.

Duke luajtur si mesfushor, Macron, tërhoqi vëmendjen e shumë të pranishmëve me pasimet dhe lojën që shfaqi.

Në fanellë kishte numrin 3, teksa iu dha mundësia e një njëmbëdhjetëmetërshi, të cilin ai e ktheu në gol me një goditje qendrore.

Macron, tifoz i Marseille, ka luajtur futboll kur ishte në universitet dhe njihet më së shumti si simpatizant i tenisit. Pas ndeshjes së bamirësisë ai vizitoi kantieret e ndërtimit për impiantet që do nevojiten për Lojërat Olimpike Paris 2024.