Princesha japoneze Mako Akishino, e cila hoqi dorë nga statusi mbretëror për t’u martuar me ish-shokun e fakultetit, u shpërngul të dielën për në SHBA. Romanca e çiftit në Japoni përndiqej prej disa muajsh nga mediat dhe opinioni publik.

Çifti u lidh në vitin 2013 kur ishin në Universitetin Katolik të Tokios, por pas zyrtarizimit të lidhjes dhe trysnisë nga mediat, Mako ndoqi studimet e përthelluara në Angli, ndërsa i dashuri i saj Kei Komuro në New York. Të dy mbajtën lidhjet përmes internetit.

Komuro, 30 vjeç, studion ende për juridik. Ai nuk e ka kaluar provimin e jurisprudencës, diçka që mediat vendase e kanë përdorur kundër tij. Sidoqoftë kjo nuk e ka penguar Kein të angazhohet nga një studio ligjore në New York atje ku kanë vendosur dhe të jetojnë bashkë.

Çifti u martua muajin e shkuar në Tokio pa banket dasme apo ritualet e tjera mbretërore. Më herët Komuro pati tërhequr vëmendjen e mediave prej një konflikti ligjor me nënën e tij, nxitur nga arsye financiare.

Japonia është një nga vendet më moderne në botë. Megjithatë marrëdhëniet familjare shihen me këndvështrime konservatore. Këtë e theksoi përmes një deklarate çifti Komuro.

Mediat sociale e kanë vënë në trysni çiftin për të ardhurat që mund të ketë Kei Komuro dhe nëse ish-princesha do të përfundojë duke mbështetur financiarisht burrin e saj.

Mako është mbesa e perandorit Naruhito (në fron prej vitit 2019), ky është nip i ish-perandorit Hirohito (në fron: 1926-1989) që udhëhoqi Japoninë në Luftën e Dytë Botërore.

Në Japoni familja mbretërore trashëgohet nga linja mashkullore. Familja sidoqoftë nuk ka më fuqi politike, por shërben si simbol i kombit dhe mbahet nga taksat publike.