Qindra milionë përdorues të aplikacioneve Facebook, Whatsapp dhe Instagram nuk mundën të lidheshin për disa orë në rrjet të hënën. Shkak për këtë u bë një problem që hasi kompania me seli në Santa Clara, California (SHBA).

Aplikacionet e Facebook nisën të shfaqnin probleme rreth orës 11:40 të orës lokale (20:40 ora e Shqipërisë). Shkëputja zgjati për rreth gjashtë orë përpara se sistemi të rivihej në punë. Sidoqoftë kompania tha se sistemi do të kërkojë kohë për t’u stabilizuar.

Punonjës të kompanisë i thanë mediave amerikane se problemi u shkaktua nga një bllokim i sistemit kryesor. Ky bllokim shkaktoi edhe mos-funksionimin e sistemit të identifikimit duke lënë jashtë zyrave dhe administratën. Mediat raportuan se punonjësit e kishin të pamundur të kryenin telefonata, apo dhe të komunikonin përmes internetit.

Kjo është hera e parë që Facebook vuan një problem kaq të zgjatur me sistemin. Hera e fundit që diçka e ngjashme ndodhi ishte viti 2019. Megjithëse problemi asokohe zgjati 24 orë, nuk preku të gjithë përdoruesit në mbarë botën.