Ekspertët e turizmit besojnë se rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri ka ardhur nga promovimi i shtetit, i kombinuar me operatorët privatë dhe pronarët e apartamenteve që përdorin platformat e rezervimit Online.

Matilda Naço, Drejtore ekzekutive e Shoqatës Shqiptare të Turizmit tha për BIRN se ky sezon veror ishte një nga më të mirët për sa i përket numrit të turistëve.

“Unë besoj që arsyeja kryesore pse Shqipëria ka qenë një nga destinacionet e preferuar, ka ardhur prej promovimeve. Institucionet shtetërore dhe operatorët privatë i kanë rritur buxhetet e tyre kur flitet për prezantimin e vendit në ekspozitat e turizmit në botë”.

Brunilda Liçaj, eksperte në turizëm mendon se edhe situata e vështirë e Turqisë ka kontribuar në rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Ballkanin.